Philippe Coutinho është shprehur shumë i kënaqur me debutimin për klubit e tij të ri, Barcelonën, pas transferimit rekord të klubit prej 160 milionë euro nga Liverpooli.
Coutinho debutoi në fitoren 2-0 të Barcelonës ndaj Espanyolit të enjten mbrëma në ndeshjen kthyese çerekfinale të Kupës së Mbretit në “Camp Nou”, e cila ishte e mjaftueshme për ta përmbysur humbjen minimale në udhëtim dhe për të kaluar në gjysmëfinale.
“Ishte një ditë e veçantë sepse ato ishin minutat e mi të parë me këtë klub”, ka thënë Coutinho.
“Është natë madhështore. Jam shumë i lumtur për mënyrën se si më mirëpriten tifozët”, ka shtuar ai.
Ylli braziliani tregoi se ishte ndier nervoz në momentin e debutimit.
“Isha paksa nervoz për shkak se ky klub është shumë i madh, por mënyra se si të gjithë më mirëpriten më ka ndihmuar të qetësohem”, ka theksuar Coutinho.