Sekretari Organizativ i Partisë Socialdemokrate, Nol Nushi, ka vlerësuar se Lëvizja Vetëvendosje me publikimin e audio-incizimeve të shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, është rrënuar dhe është kthyer përmbysë.
Ai i tha Ekonomia Online se për këto përgjime në të cilat Shefja e Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, dëgjohet duke diskutuar me Listën Serbe, do të duhet që dikush të japë përgjegjësi edhe morale edhe penale.
Nushi shtoi se problem në këtë çështje është se koordinimi është bërë me Milan Radojiçiqin, i cili sic thotë ai, është koka e krimit të organizuar në veriun e vendit dhe i sanksionuar nga Amerika.
“Krejt imazhi që e kanë ndërtuar përgjatë viteve Lëvizja Vetëvendosje duke i cilësuar të gjithë të tjerët si bashkëpunëtor të Serbisë përmes Listës Serbe, me këto përgjime është rrënuar dhe është kthyer përmbysë. Aty lëre që ka koordinim me Listën Serbe që në vetë vete nuk është ndonjë problem sepse ata kanë vota në parlament edhe janë parti parlamentare, mirëpo përmes Listës Serbe ajo koordinohej me Milan Radojiçiqin, i cili është koka e krimit të organizuar në veriun e vendit dhe më gjerë edhe i sanksionuar nga Amerika”.
Ai tha se kjo është një çështje skandaloze dhe se dikush do të duhet që të jep përgjegjësi morale e penale, pasi sipas tij, Kusari-Lila ka biseduar me njerëz që janë në kërkim ndërkombëtar dhe për këtë nuk ka lajmëruar asnjë institucion të sigurisë.
“Problemi këtu është edhe trajtimi që subjekti ja bërë vetë këtyre përgjimeve. Zonja Kusari fillimisht i mohoj, pastaj tha po është zëri imi, pastaj tha skam folur me Milan Radojiçiqin, pastaj tha po, tash po del që ka folur pesë herë. Pra është një tendencë për manipulim dhe shmangie të fakteve që ne të gjithë po i dëgjojmë të cilat kjo Qeveri po do që t’i mbuloj me propagandën e saj. Është skandaloze dikush duhet që të jep përgjegjësi edhe morale edhe penale sepse Mimoza ka biseduar me njerëz që janë në kërkim ndërkombëtar dhe për këtë nuk ka lajmëruar as një institucion të sigurisë”.
Ai tha se kur është votuar paga minimale në Kuvend të vetmit që kanë votuar për janë VV-ja dhe Lista Serbe, raporton EO.
“Tash duhet me i pa historikisht qysh ka vajtur votimi, mua mu kujtua paga minimale kur është votuar, është një ndër momentet e rralla kur Lista Serbe merr pjesë në votim dhe janë komplet në votim për edhe janë veç dy subjekte që janë për, Lista Serbe edhe VV-ja. Dihet që më atë ligj u eliminua ndërlidhja e veteranëve me pagën minimale çka shkaktoj edhe revolta shumë të mëdha tekë kjo kategori”, tha ai për EO.