Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Smajl Latifi thotë se asnjëherë nuk kanë qenë më të organizuar se tani për të shkuar në zgjedhje të reja. Ai shprehet i bindur se pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme që pritet të mbahen sivjet, do të ketë prapë një qeveri Haradinaj.
Smajl Latifi i cili drejton Komunën e Rahovecit, ka folur edhe për sfidat dhe projektet në këtë komunë.
Smajl Latifi thotë se qeveria aktuale ka bashkëpunuar ngushtë me Komunën e Rahovecit, duke pranuar adresimet e komunës dhe duke dhënë mbështetje maksimale në vazhdimësi.
Ai tregon i kanë dërguar në të gjitha ministritë përkatëse, planet dhe projektet e komunës dhe beson që do të fitojnë të drejtën të marrin përkrahje në të gjitha ato projekte që janë të rëndësishme për qytetarët e kësaj komune.
Latifi thotë se do të punojnë që pas zgjedhjeve, të ketë një qeveri e cila vazhdon të jetë e fokusuar në komunë ne Rahovecit.
“Le të kemi një qeveri Haradinaj 2, ne do të punojmë që të kemi një qeveri Haradinaj 2 sepse kemi marrë, ne veç i kemi të adresuara edhe shqetësimet, edhe kërkesat, nevojat dhe interesa të qytetarëve të komunës së Rahovecit, në të cilat ka impakt dhe duhet të japë përkrahje patjetër qeveria qendrore”, thotë Latifi, për Kosovapress.
Në këtë kohë kur Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë seancë për shpërndarjen e tij, në mënyrë që t’u hapet rrugë zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në AAK thonë të jenë mirë të organizuar dhe të gatshëm për secilën datë që caktohet për mbajtën e zgjedhjeve.
Nënkryetari i Aleancës duke thënë që asnjëherë më parë nuk kanë qenë më të organizuar, thekson se edhe qytetarët në Rahovec asnjëherë nuk e kanë pasur me qartë të vlerësojnë punën e nivelit qendror.
“Ne, (AAK), asnjëherë nuk kemi qenë më të organizuar sesa sot, asnjëherë nuk kemi qenë më funksional sesa sot, dhe asnjëherë më të qartë qytetarët e Rahovecit nuk e kanë sesa sot, që ta vlerësojnë punën edhe të komunës, edhe të nivelit qendror, sepse me ardhjen e qeverisë Haradinaj, komuna e Rahovecit, vetëm një infrastrukturë, nëse ja qesim lapsin, vetëm sivjet, bëhet fjalë mbi 9 milionë euro vetëm sivjet. Në historinë e vet komuna e Rahovecit nuk i ka marrë brenda një viti 9 milionë euro. Pra, ata nuk ke kanë ditë që kemi zgjedhje, as ne nuk e kemi ditë, por ka një fokusim të qeverisë qendrore”, thotë ai.
Smajl Latifi i cili qeverisë me Komunën e Rahovecit, tregon edhe për sfidat me të cilat po përballet në drejtimin e kësaj komune.
E një prej tyre që në disa vende ende nuk po gjen zgjidhje, është edhe mungesa e ujit të pijshëm.
Fshati Pastasel i Rahovecit vazhdon të mbetët pa ujë të pijshëm, e për këtë kryetari i komunës thotë se vitin e ardhshëm do të gjendet zgjidhja për banorët atje.
Ai thotë që ka raste kur vet qytetarët po e keqpërdorin ujin e pijshëm, duke e përdorur atë për nevoja të tjera, si kopshte e rrugë.
Megjithatë, Latifi thotë se nga 24 premtimet e bëra, vetëm një ende nuk ka filluar realizimin. /kp/