Ndërtimit të Xhamisë Qendrore në Prishtinë duket se po i vije fundi.
Stina e Pranverës pritet ta bëj me xhami të re Prishtinën. Kështu kanë konfirmuar zyrtarë në Bashkësinë Islame të Kosovës.
Ahmet Sadriu, zyrtar për informim në BIK, ka bërë të ditur se procedurat për ndërtimin e xhamisë janë në përfundim e sipër, derisa presin përmirësimin e motit që të fillojnë me ndërtimin e saj.
“Po presim me u rregullu moti. Gjithçka është në përfundim e sipër. Procedurat janë në përfundim e sipër dhe presim që në pranverë kismet me fillu ndërtimin”, ka thënë Sadriu.
Mirëpo kur pyetet se a kanë marrë lejen prej Komunës për ndërtimin e xhamisë, Sadriu përgjithëson duke mos dhënë një përgjigje të prerë, shkruan Indeksonline.
“Një komision është formu nga kryetari i Komunës dhe komisioni është në përfundim e sipër, informacionet janë që do të përfundoj gjithçka dhe do të fillojmë me ndërtim se boll më u zgjat”, ka deklaruar Ahmet Sadriu.
Kujtojmë se në tetor të vitit 2012 ishte vendosur gurthemeli për ndërtimin e xhamisë e cila pritet të jetë godina më e madhe fetare në Prishtinë. Puna me ndërtimin e xhamisë duket të jetë zgjatur shumë.
Ky projekt është dashur të fillonte qysh në tetor të vitit të kaluar. Ndërtimi i kësaj xhamie pritet të kushtojë 20 milionë euro. Ndërsa prona për ndërtimin e xhamisë është ndarë nga Komuna e Prishtinës.