Site icon PrishtinaPress

Dekorata për veprimtarin e LDK-së, e mbajtur fshehtë nga presidenti Thaçi (Foto)

Më 15 tetor të vitit të kaluar, presidenti Hashim Thaçi, pa paralajmërim, bëri një vizitë në Drenas. Atë ditë kishte dhënë dorëheqje kryetari i kësaj komune, Nexhat Demaku. Por, kjo nuk ishte arsyeja e shkuarjes së tij atje. Misioni i tij ishte krejt tjetër.

Në Drenicë, kreu i shtetit kishte shkuar për ta nderuar një veprimtar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kishte zgjedhur që Mehdi Bardhit t’ia ndajë dekoratën “Urdhri i Pavarësisë” për kontributin që kishte dhënë në proceset e shtetndërtimit.

Pasi e kishte kryer ceremoninë, presidenti ishte larguar bashkë me eskortën e tij, dhe gjithçka kishte mbetur brenda katër mureve të shtëpisë së Bardhit.

Asnjë lajm zyrtar nuk u dha për këtë ngjarje.

As nuk shkroi presidenti në profilin e tij në Facebook, siç bën rëndom në raste të tilla, e as Presidenca nuk lëshoi ndonjë njoftim.

Lajmi rrodhi vetëm nga familja Bardhi, për sa kohë që në faqen zyrtare të Presidencës, as sot e këtë ditë, nuk figuron askund që ky veprimtar u nderua me dekoratën “Urdhri i Pavarësisë”.

Vetëm një javë para se ta nderonte Bardhin, presidenti Thaçi i kishte ndarë postmortum dekoratën “Hero i Kosovës”, Emrush Et’hem Hazirit, në emër të sakrificës dhe trimërisë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Për të u bë publik lajmi, siç u bënë publike edhe lajmet për ndarje të dekoratave të mëvonshme.

Në faqen e Presidencës figuron se më 15 nëntor, Thaçi i ka ndarë Çmimin për Inovacione, Kërkime dhe Zhvillim, profesorit të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Shukri Fetahu, për inovacionin e tij shkencor në prodhimin e kultivarit vendor të grurit “Dardania 1”.

Një ditë para se ta nderonte Fetahun, presidenti kishte dekoruar ish-komandantin e KFOR-it, Klaus Reinhardt, me Medaljen Ushtarake për Shërbim në Kosovë.

E më 18 nëntor, Thaçi e dekoroi edhe ish-shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë në periudhën 1999-2001, Daan Everts me medaljen e Meritave për kontributin e tij në ndërtimin e institucioneve demokratike, në avancimin e të drejtave të njeriut, si dhe në krijimin e mirëbesimit ndërmjet komuniteteve në Kosovë.

Ndërsa më 21 nëntor, një ditë para përvjetorit të 108-të të Kongresit të Manastirit, ai vendosi t’i dekoroj ë përnjëherësh mbi 100 personalitete nga Maqedonia për meritat e tyre në fusha të ndryshme për avancimin e shqiptarëve.

Presidenti, vetëm gjatë janarit të këtij viti ka dekoruar ish-shefin e OSBE-së, Daan Everts, baroneshën Catherine Ashton, veprimtarin e LDK-së, Haki Imeri, dëshmorin Ismail Luma si dhe akademikun Idriz Ajeti.

Mehdi Bardhi, ai për të cilin nuk u dha asnjë lajm nga Presidenca, për gjatë kohë ka qenë veprimtar i LDK-së dhe gjatë aktivitetit të tij politik ka qenë shpesh i atakuar nga regjimi serb i viteve ’90-ta. Bardhi ishte pjesë e grupit prej 11 vetave që gjatë luftës u ndaluan për tri ditë rresht në Baicë të Drenasi nga pjesëtarë të UÇK-së. /aktivpress/PrishtinaPress.eu

Exit mobile version