Deputeti demokrat, Igli Cara, ka përshëndetur guximin e kreut të LSI në Durrës Lefter Koka, një të vërtetë që siç tha opozita e ka shprehur prej kohësh, rreth frikës së manipulimit të zgjedhjeve.
Cara tha se ekzistojnë struktura të mirëorganizuara në bashkëpunim me policinë që duan të mos mbahen zgjedhje të ndershme në qershor. Si deputet për qarkun e Durrësit ka akuzuar Kryebashkiakun e Durrësit për vjedhje tenderash dhe abuzim me projektet.
Deputeti i Partisë Demokratike për Qarkun e Durrësit Igli Cara, reagoi për deklaratat e Ministrit, Lefter Koka, duke theksuar se shqetësimi për manipulimin e zgjedhjeve tashmë është evident, dhe kësaj i tremben dhe vetë partitë brenda koalicionit.
Cara thekson se ka një strukturë të mirëorganizuar për manipulimin e zgjedhjeve, dhe për këtë sipas tij janë angazhuar segmente brenda policisë së shtetit në bashkëpunim me grupe kriminale.
Igli Cara: E vlerësoj për guximin që tha disa të vërteta, por PD ka tre vite e gjysëm që artikulon çdo ditë krimin elektoral. I tërë qyteti i Durrësit në këto tre vjet e gjysëm ka pasur krim, kanabizim, trafik si ansjëherë tjetër. Kjo nuk bëhet pa mbështetjen e aktorëve kryesorë të kryeministrit Rama, Ministrit tëBrendshëm dhe kryebashkiakut Dako.
Në një intervistë për Ora News Cara theksoi se qeverisja si në nivel qëndror, ashtu edhe atë lokal ka qenë mjaft e dobët.
Ai akuzoi Kryebashkiakun e Durrësit për vjedhje tenderash dhe abuzim me projektet.
Igli Cara: Këto para do tenderohen nga zoti Dako, do vidhen dhe janë parashikuar të përdoren për vjedhjen e votave në 18 qershor.
Për Igli Carën, ka një luftë mes PS dhe LSI, cka mund të favorizojë PD për t’u bërë faktorë. Opozita tha ai synon fitoren në zgjedhjet e qershorit.
Igli Cara: Ata e kanë luftë të brendshme të tyren siç mund të ishte një luftë e brendshme brenda fraksioneve të djathta. PD ka vetëm një qëllim që të dalë forcë e parë politike dhe unë besoj shumë që do ta arrijë.
Komentet e deputetit demokrat të qarkut të Durrësit, Igli Cara, vijnë pas deklaratave të Ministrit të Mjedisit, Lefter Koka, dhënë në studion e lajmeve të Ora News, ku pohoi se koalicioni PS-LSI ka nevojë të rishihet.