Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi, ka deklaruar se buxheti i vitit 2017 për bujqësi është rritur dukshëm dhe kjo, sipas tij, do të jetë në të mirë të bujqësisë e po ashtu edhe në shërbim të zhvillimit të veprimtarive bujqësore në Kosovë.
Krasniqi në këtë intervistë për RTKlive, ka thënë se është mirë që edhe të rinjtë kosovarë kanë filluar të merren më bujqësi madje për këtë ka interesim të jashtëzakonshëm.
RTKlive: Ministër sa keni arritur që t’i mbështetni fermerët?
Krasniqi: Bujqësia ka qenë në vitet e fundit prioritet i qeverisë dhe ne kemi arritur që me programet tona të adresojmë në një masë të madhe kërkesat e fermerëve dhe të japim mbështetje për ta, më shumë se që japin shumë shtete në rajon. Në dy vitet e fundit kemi ndarë mbi 90 milionë euro në grante dhe subvencione, ku si rezultat janë mbështetur qindra ferma ekzistuese, janë hapur qindra ferma të reja. Me këto investime është rritur prodhimi, është shtuar cilësia e produkteve, janë shtuar sipërfaqet e tokës së kultivuar, por çka është me e rëndësishme për këto dy vjet janë hapur mbi 5 mijë vende të rregullta pune në bujqësi. Natyrisht që kërkesat dhe nevojat janë ende të mëdha, dhe ne po përpiqemi që çdo vjet të adresojmë ato.
RTKlive: Që nga ardhja e juaj në pozitën e ministrit, a është ndryshuar qasja ndaj zhvillimit të bujqësisë?
Krasniqi: Për bujqësinë është bërë një punë e madhe edhe nga ish ministrat Vehapi e Stavileci. Shumëçka që kemi sot, është rezultat i një pune të vazhdueshme ndër vite dhe ne po e vazhdojmë atë punë, natyrisht duke e avancuar edhe më shumë, duke zgjeruar formën e mbështetjes, duke e rritur dukshëm mbështetjen financiare dhe duke rritur transparencën. Natyrisht, politikat tona programore do të ndryshojmë, por gjithnjë duke ruajtur synimet tona që të rrisim dhe zgjerojmë mbështetjen në funksion të rritjes së prodhimit vendor, arritjeve të standardeve më të larta të cilësisë dhe hapjen e vendeve të reja të punës. •
RTKlive: Sa është shuma totale e përkrahjes ndaj bujqësisë për këtë vit?
Krasniqi: Këtë vit buxheti i planifikuar ka qenë 46 milionë euro në dy programet tona, Programin për Bujqësi dhe Zhvillim Rural, apo grantet dhe Programi për Pagesa Direkte, apo siç njihen ndryshe edhe si subvencionet. Ne jemi duke finalizuar pagesat për përfituesit në këto dy programe dhe natyrisht po punojmë në programet për vitin 2017. •
RTKlive: Buxheti i vitit 2017, po has në kritika të shumta duke përfshirë edhe zyrtarë të PDK-së, sa jeni të kënaqur me ndarjen e buxhetit që iu ka bërë MBPZHR-së?
Krasniqi: Unë e di që kërkesat dhe nevojat për më shumë buxhet në bujqësi janë të mëdha, dhe natyrisht i kuptoj edhe mundësitë buxhetore që kemi si vend. Është e rëndësishme që të kemi debat të shëndoshë për buxhetin dhe besoj se çdo ide që ka synim zhvillimin e sektorit është e mirëseardhur. Ne do të kemi një buxhet pak më të madh për bujqësi vitin e ardhshëm.
RTKlive: Cilët sektorë do të përfitojnë më shumë?
Krasniqi: Nëse flasim për bujqësi ne do të vazhdojmë të trajtojmë me prioritet pemët dhe perimet, qumështin, mishin dhe grurin si nënsektorë strategjikë dhe me potencial. •
RTKlive: A ka pasur stimulim që edhe të rinjtë të mund të merren më shumë me bujqësi?
Krasniqi: Janë shumë të rinj që kanë marrë në këto vite mbështetje nga Ministria për hapjen e fermave të ndryshme dhe jam i lumtur që shoh rezultatet tek ta. Ne në programin tonë kemi paraparë pikë shtesë në kriteret e vlerësimit dhe buxhet shtesë për të rinjtë që aplikojnë. Ka një interesim të jashtëzakonshëm të të rinjve dhe kjo na gëzon shumë, pasi që është diçka që në shumë vende nuk po ndodhë. Ne do ta vazhdojmë mbështetjen në këtë formë, duke i stimuluar ata që të shohin bujqësinë si një sektorë ku mund të krijojnë të ardhura për ta dhe familjet e tyre.