Site icon PrishtinaPress

Hoti: Kosova ka rënë në grackën e Serbisë, nuk i morëm parasysh këshillat e aleatëve

Ish kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se kur aleatët nuk na mbështesin, pasojat nuk i bartim vetën ata në krye të institucioneve. Pasojat, sipas tij, i bartim të gjithë.

Deputeti i LDK-së ka shkruar se duhet konsensus nacional për veprimet që ndërmerren në përballje me situatën e krijuar.

“Por nuk mund dhe nuk duhet të rreshtohemi prapa atyre që nuk kanë ide si do të menaxhohet dhe përmbyllet në interesin e Kosovës kjo situatë komplekse politike dhe e sigurisë”, ka shkruar ndër të tjera Hoti.

Postimi i plotë i Hotit:

Kur aleatët nuk na mbështesin, pasojat nuk i bartin vetëm ata në krye të institucioneve. Pasojat i bartim të gjithë.

E lexova shqetësimin e Daniel Serverit se: “Kryeministri i Kosovës e ka idenë se çfarë do dhe shpreson se ai do t’i përballojë pasojat”. Unë e ndaj shqetësimin e tij. Por problemi është se pasojat bien mbi përpjekjet tona, paqësore e luftarake, dhe rezultatet që kemi arritur deri tani në fuqizim, konsolidim e anëtarësim e shtetit të Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.

Sigurisht se na duhet konsensus nacional për veprimet që ndërmerren në përballje me situatën e krijuar. Por nuk mund dhe nuk duhet të rreshtohemi prapa atyre që nuk kanë ide si do të menaxhohet dhe përmbyllet në interesin e Kosovës kjo situatë komplekse politike dhe e sigurisë.

Sigurisht se kjo situatë ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së Serbisë tek komuniteti serb në Kosovë. Por kësaj radhe, për shkak se nuk i morëm parasysh këshillat e aleatëve, Kosova ka rënë në grackën e Serbisë.

Exit mobile version