Është prej pak njerëzve që e ka parë propozimin e Francës dhe të Gjermanisë për marrëveshjen finale Kosovë – Serbi. Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka treguar detaje të këtij plani. Sipas tij, dokumenti ofron njohje de fakto të Kosovës nga Serbia.
Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini, ka bërë me dije se plani franko-gjerman, i cili bazohet në konceptin e marrëveshjes në mes të dy Gjermanive, parasheh që Kosova dhe Serbia ta njohin ekzistencën e njëra-tjetrës si shtete sovrane.
Ai ka thënë se ajo çka ofron ky dokumenti, të cilin e ka parë në Zyrën e Kryeministri, është njohja de fakto e Kosovës nga Serbia dhe hapja e rrugës drejt integrimit për në BE dhe në NATO.
Në këtë intervistë dhënë gazetës Nacionale, Gjini ka deklaruar se Kosova duhet të insistojë që njohja nga Serbia të jetë e plotë.
I dyti i AAK-së ka pranuar se ndryshimi i këtij plani është i vështirë, por jo i pamundur.
Sipas tij, plani nuk flet shumë për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Gjini ka treguar se aty thuhet vetëm se duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në procesin e Brukselit.
Ai ka thënë se ende nuk e di nëse këtë marrëveshje do ta pranojë apo jo Qeveria e Kosovës.
Duke e paralajmëruar Qeverinë që të ketë kujdes dhe të mos e humbë mundësinë e një marrëveshjeje, ai ka thënë se refuzimi i këtij dokumenti do të sillte pasoja të mëdha për Kosovën./Prishtinapress/