Site icon PrishtinaPress

Shala për targat: Problem nuk do të jetë forma e zbatimit, por qëndrueshmëria

Kanë mbetur vetëm edhe tri ditë deri tek marrëveshja finale për targat, shkruan Prishtinapress.

Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se pas 31 tetorit këto makina nuk do të mund të qarkullojnë e as të kalojnë kufirin. Nga ana tjetër Lista Serbe dhe Serbia me 27 tetor kanë paralajmëruar për barrikada nëse Kosova konfiskon makinat apo targat e serbëve.

Poashtu ka një kërkesë nga BE dhe SHBA që ky implementim të shtyhet deri në 10 muaj.

Eksperti i sigurisë në Kosovë, Drizan Shala, ka bërë me dije se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe me ndihmën kryesore të sponsorit të Kosovës SHBA-të, Kosova ka arritur t’i marrë mbi 100 njohje nga vendet edhe brenda BE-së.

“Nëse i referohemi dhe bëjmë analizë të veprimeve që kanë ndodhur që nga fillimi i bisedimeve në vitin 2011 e tutje vërehet një formë e një modeli që gjuhen diplomatike njihet edhe si  “Bisedimet rreth çështjeve por asesi për problemin”. Pra gjatë kësaj periudhe 1 dekadë fokusi primar dhe ai sekondar i bashkësisë ndërkombëtare ka qene që fokusi të mbetet në orbitën e bisedimeve mbi “ çështjet” duke shpresuar që formimi dhe qëndrueshmëria shtetërore e Kosovës të dështojë dhe kështu bashkësia ndërkombëtare (disa shtete të BE-se) të mund të fillojnë një proces të ri duke trajtuar “problemin” që në rastin tonë do të ishte modeli i dy Gjermanive ( pra rikthim në një konfederatë specifike Serbi/Kosove). Por bazuar në fakte që nga shpallja e pavarësisë se vendit dhe ndihma kryesore e sponsorit tonë SHBA, Kosova arriti që të marrë mbi 100 njohje nga vendet edhe brenda BE-se , në kohe ku interesat e ndryshëm kanë gërshetuar me politikat e atyre shteteve që kanë sponsorizuar pavarësisë”, tha Shala për Prishtinapress.

Në një prononcim dhënë portalit Prishtinapress, Shala tha se situata aktuale është tejet e pa qartë në formën dhe mënyrën e  të vepruarit qoftë nga bashkësia ndërkombëtare si dhe Qeverisë aktuale të Kosovës.

“Sepse nuk do të këtë ndryshime para që Kosova të marrë veprime në lidhje më dy çështje jetike të cilat Serbia ka ditur mirë ti parashtroje përgjatë gjithë procesit të dialogut siç janë : Asociacioni i Komunave Serbe-ASK ( ku sipas informacioneve të mija brenda zyrës se Kryeministrit , ekipa e cila është duke trajtuar këtë pikë që në afatin sa më të shpejt të dalin më një draft propozim mbi këtë çështje si kërkesë eksplicite e sekretarit amerikan, mund të themi që ekipa e “ekspertëve” ( emrat e njohur për mua ) që janë duke trajtuar këtë segment janë vetëm e njohuri modeste dhe që rezultati mbi këtë draft le të mbetet për të analizuar). Vendimi i Gjykatës Kushtetues për Manastirin e Deçanit ( bazuar në informacionet e fundit kreu i manastirit të Deçanit , e ka refuzuar dhe nuk e ka pranuar që të takohet me Kryeministrin e vendit edhe pas insistimit të ti të fundit që të arri një zgjedhje e cila e tejkalon zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për Manastirin )”, shtoi Shala.

Ai shtoi se problemi nuk do të jetë forma e zbatimit por do mbetet forma e qëndrueshmërisë se zbatimit, ngase, siç thotë ai,  nëse merret për bazë pengesat politike që do të determinojnë procesin.

“Vendimi për konfiskim e targave ilegale duhet ta zbatojnë policët e rendit ( stacionet policore, nivelin komunal , stacioni i policisë rajonale të asaj pjese ) të mbështetur nga NJRSH, NJSO në perimetrin e sigurisë në pika kontrolli. Pra problemi do të qëndrojë sa do të jenë lojal këta “police” të cilët në të kaluarën janë dëshmuar që iu kanë shërbyer grupeve kriminale , strukturave paralele të sigurisë. Problemi nuk do të jetë forma e zbatimit por do mbetet forma e qëndrueshmërisë së zbatimit nëse merret përbazë pengesat politike që do të determinojnë procesin. Veprimi i grupeve kriminale të cilat kanë kryer këtë ( djegien e veturave ) veprim në veri të vendit , kanë pranuar instruksione konkrete që çdo qytetar me  veturë që ka targa 02 kryesisht të djegin në veri të vendit dhe që pronar është nga komuniteti serb. Bllokimi do të prodhojë situatë e cila mund të shpije situatën deri tek një ballafaqim në mese ligjit dhe anarkisë”, përfundoi Shala.

Deri më tani, Qeveria e Kosovës ka thënë se afati tashmë është shtyrë një herë, dhe se nga 1 nëntori nuk do të mund të qarkullojnë më makinat me targa të lëshuara nga Serbia.

Këto targa konsiderohen të paligjshme nga autoritetet në Kosovë, mirëpo deri më tani janë toleruar në veri të Kosovës.

Kujtojmë se qytetarët serbë në veri të Kosovës, mund të riregjistrojnë veturat e tyre në RKS. Besohet se afër 10.000 makina qarkullojnë në veri të Kosovës, e të cilat kanë targa të lëshuara nga Serbia me akronime serbe të qyteteve të Kosovës, sikurse KM, PR, PZ.

Deri më tani janë riregjistruar 20 vetura, përfshirë edhe një veturë që u dogj më 26 tetor në veri të Kosovës./Prishtinapress/

Exit mobile version