Site icon PrishtinaPress

DRITA KAMPIONE E KOSOVËS, URIME!

Drita është shpallur kampione e Kosovës në futboll për sezonin 2017/2018.
Sfida e xhiros së 33-të e Vala Superligës së Kosovës mes Prishtinës dhe Dritës, ka përfunduar pa gola (0-0), për t’i mundësuar skuadrës nga Gjilani të shpallen kampion të Kosovës me tre pikë më shumë se kryeqytetasit në renditje.

Stadiumi ‘Shahin Haxhiislami’ në Pejë, ishte nikoqir i kësaj përballje që mblodhi numër të madh tifozëve, si brenda ashtu edhe jashtë stadiumit.

Ndeshja nisi me ritëm të lartë, kur mysafirët e Dritës kanë mundur shumë lehtë të kalojnë në epërsi që në minutën e parë.

Një top i nisur nga Xhevdet Shabani, e nxori të vetëm para portierit sulmuesin Endrit Krasniqi, por portieri Visar Beka ishte në nivel të detyrës, duke e shpëtuar Prishtinën.

Minuta e 15’ solli zënkën e parë mes lojtarëve, kur Armend Dallku u ndëshkua me karton të verdhë pasi goditi sulmuesin Kastriot Rexha.

Për skuadrën nga kryeqyteti, minuta e 31’-të solli një karton të kuq. Ishte Debatik Curri që përjashtua nga loja nga gjyqtari Fatmir Tahiri, pas një ndërhyrje të ashpër në lojtarin mysafir.

Në pjesën e dytë, Prishtina u pa më agresive, por rastet konkrete për shënim munguan.

U dashtë të pritej minuta e 67’, për të parë një goditje të fortë të Ahmetit nga largësia, por goditja e tij përfundoi jashtë kornizave të portës së Dritës.

Një minutë më vonë, Drita iu kundërvu Prishtinës me një goditje të fortë e të saktë të Shabanit, por portieri Beka sërish tregoi se ishte në nivel të detyrës.

Livoreka shumë lehtë ka mundur t’i dhurojë epërsinë Dritës, por edhe ky sikurse Krasniqi, dështoi të shënoi në portën e Visaj Bekës.

Në fund të ndeshjes, edhe Armend Dallku u ndëshkua me karton të kuq, pas një goditje në Xhevdet Shabanin.

Ndeshja përfundoi 0-0, dhe Drita u shpall kampione e Kosovës për herë të dytë në histori të klubit.

Exit mobile version