Real Madridi, i treti në tabelë, e ka siguruar vendin për në finalen e Ligës së Kampionëve të martën dhe synojnë ta fitojnë trofeun më të çmuar për klube për herë të tretë rresht.
Edhe pse Barcelona është kampione tashmë, Zidane ka planifikuar që në këtë përballje të hyjë me 11-shen më të fortë, transmeton KTV.
“Përderisa kjo ndeshje nuk do t’i ndërrojë pozicionet në ligë, ne megjithatë, dëshirojmë të luajmë mirë dhe të bëjmë gjithçka për të fituar. Nëse ka lojtarë të cilët nuk ndihen mirë, nuk do të luajnë, por kam në shumë opsione për t’i zëvendësuar ata. Raphael Varane dhe Isco duhet të jenë në formë të mirë fizike për të udhëtuar me ne”, përfundoi Zidane.
Francezi mund të shtrijë në lojë radhitjen 4-3-1-2. Në portë, i pazëvendësueshmi Keylor Navas, në mbrojtje Vazquez, Nacho, Ramos dhe Marcelo.
Mesfusha pritet të përbëhet nga Modriq, Casemiro, Kroos e Isco, e në sulm makina e golave Ronaldo dhe Benzema. Tekniku francez foli edhe për mesfushorin spanjoll Andres Iniesta, i cili do ta luajë Klasiken e fundit, pasi do të largohet nga Katalunasit në fund të sezonit. Iniestën e ka cilësuar lojtar të cilin e adhuron çdokush.
Zidane nënvizoi po ashtu se do ta përshëndesin atë dhe do t’i urojnë atij më të mirën në të ardhmen. Në këtë përballje do të mungojë Daniel Carvajal , për shkak të lëndimit në muskulin e këmbës.