Site icon PrishtinaPress

Zgjedhjet e brendshme të LDK-së / Tensione e parregullsi të mëdha në nëndegët e Podujevës

Para rreth 3 javësh, Lumir Abdixhiku, kryetari i LDK-së ka shpallur zgjedhjet e brendshme të kësaj partie.

Këto zgjedhje kanë filluar të mbahen edhe në Podujevë, ku do të zgjedhën kryetarët dhe delegatët e nëndegëve.

Mirëpo, kuvendet atje nuk po mbahen sipas proceseve demokratike.

Rreth parregullësive atje ka folur për IndeksOnline, kandidati për kryetar të nëndegës “Podujeva 1 – Dega 2”, Llukman Murati.

Ai ka thënë se gjatë mbledhjes së thirrur dy ditë më parë ka pasur tensione të larta, duke pamundësuar zgjedhjen e kryetarit.

Ai thotë se kundërkandidatët e tij në mënyrë të fshehtë po mundohen ti mbajnë zgjedhjet, duke e akuzuar Muratin se është ‘’njeri i Agim Veliut’’, dhe se për këtë arsye nuk mund të zgjidhet kryetar.

‘’Unë jam Llukman Murati, kandidat për kryetar të nëndegës “Podujeva 1 – Dega 2”. Kundërkandidat aty e kam Shaban Beselicën, dhe gjatë mbledhjes aty ka pas tensione të shumta. Ata të vjetrit neve nuk po na lejojnë me hy në votim. Pas tensioneve këto zgjedhje u shtynë dhe kundërkandidatët e mi po këqyrin me mbajtë kuvendin msheftë, nuk po dojnë me i lanë me marrë pjesë mbi 90 anëtarë, dojnë me mbajtë msheftë për arsye personale, jo politike për me i ndihmu popullit, por për arsye personale.

Mu nuk po dojnë me më lanë me u bo kryetar, po thonë që ti nuk mundesh me u bo se ti je “njeri i Agim Veliut”. Ata mi përzënin anëtarët, thoshin “këta nuk janë në nëndegën tonë”, por unë ju kam tregu se pe nuk do të lëshoj’’ tha ai.

Murati ka thënë se kryetari i LDK-së në Podujevë është në dijeni të këtyre parregullësive dhe nuk ka ndërmarrë asnjë masë.

Tutje ai ka thënë se kuvendi u prish me vetëm pse ai ka pasur mbi 90 votues ndërsa kundërkandidati i tij s’i kishte as 20 sosh.

‘’Kryetari i LDK-së në Podujevë, Ekrem Hyseni është rrenc, e kam thirrë e kam njoftu për të gjitha, i kam thanë më marrë masa, më tha qe nesër e realizojmë një takim dhe më nuk më thirri hiç pasi që nuk ka interes, se dëshiron me i shti njerëzit e vet nëpër kuvende po unë në mahallë time, shtëpinë time nuk e lejoj këtë send, pasi qe unë vetëm jam duke i mbrojtë interesat e mia dhe të mahallës time.

Ata me qëllim ma prishën kuvendin pasi unë i kam pasë mbi 90 përkrahës e ata as 20 nuk i kanë pas.

Njerëzit që i ka pasë Agim Veliu, që ju ka bo shtëpi, që ju ka jep bukë e të gjitha të mirat, ata sot e përkrahin Ekrem Hysenin, po këtu me neve Agim Veliu nuk ka të bëjë asgjë, mu po më interesojnë vetëm të drejtat demokratike ku më lejohet të kandidoj dhe t’i lejojnë votuesit e mi të votojnë’’, tha Murati për IndeksOnline

Exit mobile version