Site icon PrishtinaPress

Kundërshtari i Vuçiqit dhe i Listës Srpska në Veri kërcënohet me jetë

Komisioneri i Lëvizjes për Mbrojtjen e Kosovës, Nebojsha Joviq, ka thënë se është kërcënuar me jetë dhe se për këtë arsye duhet të heqë dorë nga të gjitha aktivitetet politike.

Joviq, i cili jeton në Mitrovicën e Veriut, theksoi se në muajt e fundit ka marrë disa paralajmërime “të ketë kujdes, se mund arrestohet ose vritet”.

“Po e informoj publikun se në mënyrë më se serioze, nga një vend më se serioz, kam marrë një paralajmërim se nëse vazhdoj ndonjë aktivitet politik, rrezikohet drejtpërdrejt siguria ime dhe e njerëzve të mi”, tha Joviq në faqen e tij në Facebook, pa specifikuar se nga kush i ka marrë kërcënimet.

Ai shtoi se deri më tani, asnjë kërcënim, “apo humbja e vendit të punës, arrestimi, suspendimi, pasoja e të cilave mund të jenë lëndime të rënda trupore, si dhe ato fatale për jetën”, nuk mund ta trembë atë.


“Megjithatë, nuk do të doja të rrezikoja apo të vendosja në rrezik real sigurinë e të dashurve të mi, duke kontrolluar nëse vazhdimi i aktiviteteve të mia politike do të konfirmojë dhe kuptojë në mënyrën më të drejtpërdrejtë seriozitetin e paralajmërimeve”, ka thënë ai.

Nebojsha Joviq ishte një nga bashkëpunëtorët më të afërt të politikanit të vrarë serb Oliver Ivanoviq.

Ai është kundërshtar i Listës Srpska dhe presidentit serb.

Siç shkruan Danas, në protestën e 13 qershorit kur u arrestua Milun Milenkoviq – Llune, ai brohoriti “Tradhti, tradhti” kundër Vuçiqit.

Në një intervistë për agjencinë Beta më 14 qershor, Joviq deklaroi se Lista Serbe e ka humbur besueshmërinë e saj dhe se nuk mund të përfaqësojë më popullin serb në Kosovë.

“Që nga viti 2013 kemi pësuar kërcënime dhe shantazhe nga Beogradi. Pas gjithë barrikadave të organizuara nga Beogradi dhe Lista Srpska dhe pas çdo mbledhjeje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, gjendja sa vjen e përkeqësohej për serbët në Kosovë. Të gjitha veprimet e bëra nga Lista Srpska për t’i bërë gjoja rezistencë Prishtinës, rezultuan të kota sepse të gjitha direktivat vinin nga Aleksandar Vuçiq”, ka thënë Joviq në intervistë.

“Pas barrikadave të para, veriu i Kosovës u pushtua nga njësitet e policisë speciale të Kosovës, pas të dytës u ndërtuan bazat speciale të policisë dhe pas barrikadave të treta, veriu i Kosovës u pushtua plotësisht”, kishte pretenduar ai.

Exit mobile version