Deputeti i Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka folur në lidhje me videon e Lëvizjen Vetëvendosje (LVV), duke thënë se edhe një herë treguan se janë specialistë të mashtrimit.
I ftuar në emisionin “DebatPlus”, në RTV Dukagjini, Zemaj përmendi edhe disa, siç i cilëson ai, “skandalet e kësaj qeverie”, e që janë arrestimi i asamblistit të LVV-së, Besnik Mujeci, për kontrabandim të narkotikëve dhe keqpërdorimi me rezervat shtetërore.
“Unë e quaj vera e skandaleve të mëdha. Dy megaskandalet që kanë dalë ditëve të fundit; një është ku një eksponent i LVV-së duke helmuar trevat shqiptare me substanca narkotike, në kuptimin edhe të shumës edhe të sasisë. Ai është asamblist në Prishtinë për dy mandate, në struktura të LVV-së, si dhe i përkrahur nga eksponentë të pushtetit si ministri i Punëve të Brendshme, ministrja e Drejtësisë, si dhe kryeministri i Kosovës”, është shprehur Zemaj.