Kandidati presidencial i koalicionit qeverisës nën Partinë Përparimtare Serbe (SNS), Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Serbia do të punojnë në ruajtjen e paqes në rajon, dhe se asnjëherë nuk do të pajtohet për formimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.
Vuçiq, në një miting në Mladenovc, siç raporton “Politika”, ka thënë se rajoni gjendet para periudhave të trazuara, por ka shtuar se ekzistojnë kufij të cilat Serbia nuk i tejkalon “dhe nuk do t’i tejkalojë kurrë”.
“Shqiptarët në Kosovë e Metohi, përmes Kushtetutës së tyre të cilën ne nuk e njohim, dëshirojnë të formojnë ushtrinë e tyre. Serbia asnjëherë nuk do të pajtohet me formimin e Ushtrisë së Kosovës, mund të na bëjnë presion sa të duan, ne do të kërkojmë paqe, do të bisedojmë çdo ditë me shqiptarët e Kosovës, por e dimë çka është serbe dhe çka asnjëherë nuk do t’i japim askujt”, ka deklaruar Vuçiq, transmeton Koha.net.
Vuçiq ka shtuar se për dallim nga kandidati i opozitës për president të Serbisë, ai ka luftuar për serbët në Kosovë, për serbët në Republikën Serbe dhe për çdo qytetar të Serbisë.
“Le të vijnë dhjetëra të tillë, nuk kam asnjë problem me këtë, të gjithë do t’i mposht”, ka thënë Vuçiq.
Për Ushtrinë e Kosovës ka folur edhe kryetari i Lëvizjes Socialiste serbe, Aleksandër Vulin, i cili tha se serbët s’do të lejojnë kurrë një gjë të tillë.