Tetë drejtorët ekzekutivë të Bankës Botërore në fund të marsit priten ta vizitojnë Kosovën, ka thënë në “Ekonomia me Erëzën” të KTV-së, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.
Arsyeja e kësaj vizite, sipas Stavilecit, është që t’i paraprijë vendimit që më pas do ta marrë Banka Botërore lidhur me mbështetjen e mëtutjeshme dhënë projektit “Kosova e Re”.
“Në javën e fundit të marsit ne do të kemi vizitën më të rëndësishme që e kemi pasur nga Banka Botërore. Do të vijnë 8 drejtorët ekzekutivë të kësaj banke. Dhe arsyeja e kësaj është se kjo vizitë do t’i paraprijë vendimit që do ta marrë Banka Botërore në mbështetjen e mëtutjeshme dhënë këtij projekti”, tha Stavileci.
Mësohet se pjesë e këtij delegacioni është drejtori ekzekutiv i Indisë, Perus, Australisë.
Kujtojmë që “Kosova e Re” është projekt në mes të Qeverisë, sektorit privat dhe Bankës Botërore. Kjo e fundit në letrën e bërë publike thotë se “do të përkrah gjenerim të ri të energjisë nga thëngjilli vetëm në rrethana jashtëzakonisht të rralla kur thëngjilli është opsioni i vetëm i përballueshëm për të përmbushur nevojat energjetike të vendit”.