Site icon PrishtinaPress

VOA: Mbi 200 miliardë dollarë ndihma për COVID-19 mund të jenë vjedhur

Më shumë se 200 miliardë dollarë mund të jenë vjedhur nga dy programe të mëdha për lehtësimin e situatës ekonomike të shkaktuar nga përhapja e COVID-19, vlerëson inspektori i përgjithshëm i agjencisë amerikane për biznesin e vogël, i cili po heton programet e financuara nga qeveria federale që ndihmuan bizneset e vogla të mbijetojnë krizën më të rëndë të shëndetit publik në më shumë se njëqind vjet.

Shifrat e publikuara të martën nga inspektori i përgjithshëm i Administratës amerikane për Biznesin e Vogël janë shumë më të larta se parashikimet e mëparshme dhe nënvizojnë se sa të cënuara ishin nga mashtruesit programet për mbrojtjen e pagave dhe huasë gjatë pandemisë, veçanërisht gjatë fazave të para.

Raporti i inspektorit të përgjithshëm thotë se rreth 17 për qind e të gjitha fondeve u disbursuan për aktorë që ka mundësi të kenë mashtruar.

Sipas raportit, vlerësimi i mashtrimit në programin e huasë për dëmet ekonomike të shkaktura nga COVID-19 është më shumë se 136 miliardë dollarë, ose 33 për qind e shumës totale të shpenzuar për atë program. Vlerësimi i mashtrimeve në programin për mbrojtjen e pagave kap shumën prej 64 miliardë dollarësh, tha inspektori i përgjithshëm.

Në komentet bashkangjitur raportit, një zyrtare e lartë e agjencisë federale për biznesin e vogël i kundërshton shifrat e reja.

Bailey DeVries, ushtruese e detyrës së administratores së agjencisë për qasjen në kapital, tha se: “qasja e inspektorit të përgjithshëm përmban të meta serioze që mbivlerësojnë ndjeshëm mashtrimin dhe çorientojnë pa dashje publikun që të mendojë se puna që bëmë së bashku nuk kishte ndikim të rëndësishëm në mbrojtjen kundër mashtrimit”.

Zyra e inspektorit të përgjithshëm kishte vlerësuar më parë se mashtrimi në programin e huasë për fatkeqësinë e shkaktuar nga COVID-19 ishte rreth 86 miliardë dollarë dhe 20 miliardë dollarë në programin për mbrojtjen e pagës.

Agjencia e lajmeve “Associated Press” njoftoi më 13 qershor se mashtruesit vodhën rreth 280 miliardë dollarë ndihma urgjente për COVID-19 dhe rreth 123 miliardë dollarë të tjerë u shpërdoruan ose u shpenzuan pa kriter. /VOA

Exit mobile version