Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, tha se aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian është hap i rëndësishëm, por shtoi se integrimi në bllok varet edhe nga dialogu me Serbinë.
“Është thelbësore që gjithë Ballkani Perëndimor të futet në BE. Ritmi i integrimit të Kosovës në BE do të varet nga përkushtimi i saj për miratimin e reformave të nevojshme dhe përfundimin e suksesshëm të dialogut me Serbinë, të udhëhequr nga Bashkimi Evropian”, deklaroi ajo në Twitter.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i dorëzoi të enjten Çekisë – vendit që aktualisht kryeson Presidencën e Bashkimit Evropian – aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.
Kjo, tha ai, është një ditë historike për Kosovën dhe një ditë e madhe për demokracinë në Evropë.
Aplikimi për anëtarësim në BE është vetëm hapi i parë i një procesi që mund të zgjasë me vite.
Një ditë më herët, udhëheqësit e Kosovës, përfshirë kryeministrin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, e nënshkruan aplikimin për anëtarësim në BE në Prishtinë, duke e cilësuar si “hap historik” për Kosovën.
Javën e ardhshme, presidenca çeke e BE-së pritet t’i njoftojë vendet tjera anëtare për aplikimin e Kosovës.
Trajtimin e kësaj çështjeje do ta vazhdojë pastaj Suedia, e cila merr kryesimin e BE-së nga 1 janari.
Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova mbetet e fundit në procesin e integrimeve evropiane./REL