Site icon PrishtinaPress

Veseli: Zhvillimi dhe integrimi nuk arrihet pa rolin aktiv të grave

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka takuar strukturat e Gruas Demokratike, për të filluar kështu zgjedhjet edhe në këtë forum partiak.

Duke shpalosur platformën e PDK-së për Dekadën e Re, Veseli tha se zhvillimi ekonomik i vendit, integrimi euro-atlantik si dhe besimi në shtetin e Kosovës, nuk mund të ndodhin pa rolin aktiv të grave.

Fjalimi i plotë i Kryetarit Veseli:

Zonja të nderuara

Kolege të Partisë Demokratike të Kosovës

Vizioni i Partisë Demokratike të Kosovës, në dekadën e dytë të pavarësisë, bazohet në pjesëmarrjen aktive të gruas në shoqëri dhe në shtet.

Partia Demokratike e Kosovës beson dhe punon për gjithëpërfshirjen e grave në shoqëri dhe institucione.

Pjesëmarrja e grave është kusht i domosdoshëm që të kemi shtet funksional demokratik, ekonomi të zhvilluar dhe mirëqenie për qytetarët tanë.

Dekada e dytë e Pavarësisë do të jetë dekada e re, dekada e besimit në veten dhe në shtetin, dekada e zhvillimit ekonomik dhe dekada e integrimit.

Kjo nuk mund të arrihet pa besim, pa rolin aktiv të grave.

Nuk mund të kemi zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe as integrim, nëse gjysma e popullsisë nuk është e përfshirë në jetën publike dhe ekonomike të shoqërisë.

Sikurse dje, edhe sot, Partia Demokratike e Kosovës u beson grave.

I beson forcës së tyre transformuese. Potencialit të tyre zhvillimor. Lidershipit të tyre në politikë, në biznes, në shoqërinë civile, e në krejt sferat e jetës sociale.

E kemi dëshmuar këtë më mirë se gjithë të tjerët, duke u dhënë hapësirë politike angazhimit të grave.

Nuk do të ndalemi. Nuk jemi të kënaqur me atë që kemi bërë. Kërkohet më shumë nga ne. Duhet të kërkojmë më shumë nga vetja.

Partia Demokratike e Kosovës, ka qenë dhe mbetet, subjekti kryesor që garanton ecjen përpara të vendit.

Kur ndalet Partia Demokratike e Kosovës, ndalet Kosova. Prandaj, nuk guxojmë të ndalemi. Nuk guxojmë të lodhemi.

E kemi obligim dhe detyrën më të shenjtë patriotike që ta çojmë përpara atdheun tonë, shtetin tonë të pavarur dhe sovran.

Partia Demokratike e Kosovës është forca e guximit për t’u ndeshur me sfidat.

Ne kemi vizion dhe program konkret për sfidat e barazisë gjinore në Kosovë.

Përtej atyre që e konsiderojnë barazinë gjinore vetëm retorikë politike, ose standard formal dekorativ për imazhin partiak.

Partia Demokratike e Kosovës e konsideron barazinë gjinore interes nacional dhe strategjik të shoqërisë sonë në rrugën zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik.

Parimi themelor i politikës gjinore të Partisë Demokratike të Kosovës është: ZERO BARRIERA PËR GRATË NË SHOQËRI.

Kjo nënkupton:

– Zbatim rigoroz të ligjeve që mbulojnë barazinë gjinore.

– Luftë të pakompromis kundër mentalitetit patriarkal në institucione.

– Gratë duhet të paguhen njësoj si burrat për të njëjtat punë.

– Pjesëmarrje e barabartë në tregun e punës.

– Garanci ligjore për kohën e lehonisë.

– Asnjë grua nuk guxon të humbë vendin e punës për shkak se nuk respektohen këto garanci.

– Luftë të pakompromis kundër praktikave që diskriminojnë gratë në kontestet gjyqësore për të drejtat e pronësisë.

– Në marrjen e kredive investuese në bankat e Kosovës, dhe

– Në procesin e përzgjedhjes në postet publike brenda sistemit institucional të shtetit

Programi i Partisë Demokratike të Kosovës – ZERO BARRIERRA PËR GRATË NË SHOQËRI – përfshin veprime konkrete:

– Me subvencionim të projekteve të grave në prodhim dhe industrinë e shërbimeve, si dhe me kredi investive.

– Partia Demokratike e Kosovës i mbështet gratë në edukim, shkencë, shëndetësi.

– Që të bëhen menaxhere të suksesshme të burimeve njerëzore.

– Mjeke të barabarta me koleget tuaja evropiane.

– Profesore që transmetojnë imazh pozitiv për vendin me prezantimet e tyre në tryezat shkencore ndërkombëtare.

– Sipërmarrëse të suksesshme në sektorin privat.

Kështu i ndihmojmë familjes, i ndihmojmë shoqërisë, shtetit dhe zhvillimit ekonomik.

Ky është vizioni i Partisë Demokratike të Kosovës. Shpërndajeni kudo këtë vizion. Bëhuni pjesë e tij. Bëhuni pjesë e Dekadës së Re të Pavarësisë”.

Exit mobile version