Site icon PrishtinaPress

Veseli: Shfuqizimi i Speciales në duart e Qeverisë, LDK-ja s’pati pse të dalë nga mbledhja

Kryesia e Kuvendit tashmë ka çuar në Qeveri Projektligjin për Shfuqizimin e Gjykatës Speciale. Ky, ka thënë kryeparlamentari Kadri Veseli, është një veprim procedural, kur duhet të merreshin parasysh 43 nënshkrimet e deputetëve.

Mbledhja e kryesisë së Kuvendit sot avancoi çështjen e Gjykatës Speciale, kur mendohej se dëshira për të zhbërë atë është zbehur pas thirrjeve të shumta të ndërkombëtarëve që të mos shfuqizohet.

Kryeparlamentari Veseli ka treguar se Kryesia e Kuvendit ka vendosur ta procedojë në Kuvend Projektligjin për Gjykatës Speciale, duke përmbushur kështu, sipas tij, një obligim ligjor.

“Kemi vepruar në bazë të rregullores, gjithçka që është bërë ka qenë rregull procedurale”, është shprehur ai.

Ndërsa Veseli para gazetarëve ka komentuar edhe veprimin e Lidhjes Demokratike, që lëshuan mbledhjen pasi nuk u pajtuan me vendimin e pjesës tjetër të kryesisë lidhur me dërgimin e Projektligjit për zhbërjen e Speciales në Qeveri.

“Përndryshe qëndrimet politike tashmë dihen, nuk ka pasur nevojë të dilet nga mbledhja”, tha Veseli.

Ndryshe, Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, pasi kishte lëshuar mbledhjen, tregoi se qëndrimi i LDK-së për zhbërjen e Speciales dihet, dhe se nuk pajtohen me avancimin e kësaj teme që i bën dëm vendit.

Të dëmshme për vendin, iniciativën për zhbërjen e Speciales e kanë konsideruar ndërkombëtarë, me theks të veçantë Ambasada amerikane që për një muaj çon mesazhe te skena politike që në asnjë mënyrë të mos shfuqizohet Specialja, pasi pasojat do të jenë të mëdha.

 

Exit mobile version