Janë mbushur plot tri javë prej se në klinikat e Kirurgjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nuk është kryer asnjë operacion, përveç rasteve urgjente, pasi që kirurgët e këtyre klinikave po e vazhdojnë grevën. Ata janë të vendosur të vazhdojnë grevën me të vetmen kërkesë, nivelizimi i pagave me ato të gjyqtarëve dhe prokurorëve, thotë për Radio Kosovën përfaqësuesi i grevistëve, Arsim Morina. Sipas tij, grevës së 157 kirurgëve i janë bashkuar edhe kirurgët e Spitalit Rajonal të Mitrovicës.
”Na janë bashkangjitur: Spitali Rexhional i Mitrovicës me nënshkrimet e tyre përkatëse, komplet kolegjiumet kirurgjike. Janë në rrjedha edhe klinikat e tjera, por momentalisht, zyrtarisht, mund t’ ua konfirmojmë vetëm këtë. Kërkesa jonë është e njëjtë dhe e pa diskutueshme, rregullimi i nivelit të pagave në nivel të prokurorëve dhe gjyqtarëve. Kërkesa jonë është e pa negociueshme, nuk diskutohet për çështjen e rrogës, për çështjen e nivelit të saj. Ne jemi në grevë. Greva vazhdon” , thotë Morina.
Ndërkaq, kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla, ka komentuar vazhdimin e grevës së kirurgëve duke thënë se kauza është e përbashkët por rrugët janë të ndryshme. Syla tha se diskutimet kanë përfunduar dhe janë duke e pritur vendimin për Projektligjin për Pagat.
”E kam thënë edhe po e them nëse ka diçka më mirë që mund të bëjnë, në rregull, por edhe mos të harrojnë se këtu nga ana e sindikatës bëhet fjalë për 14 mijë e 80 punëtorë, ndërkaq ky grup i kirurgëve është për 200 apo 300 persona”, tha Syla.
Ndërkaq, zyra e drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës nuk ka dashur të flasë për çështjen e grevës së kirurgëve.
Ndryshe grevë me kërkesën për kategorizim të pagave pati nga të gjithë punonjësit shëndetësorë, e cila u mbështet nga Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës. Kjo grevë u ndërpre pas takimeve që u zhvilluan në mes të përfaqësuesve të sindikatës dhe krerëve të institucioneve më të larta në vend, me ç’rast u premtua rritje dhe kategorizim i pagave për punonjësit shëndetësorë.