Site icon PrishtinaPress

Vartësi i Vuçiqit e mbron të sanksionuarin e ShBA-së, Radojçiq pasi u arratis nga Bërnjaku

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, i ka dalë në mbrojtje nënkryetarit të Listës Serbe, Milan Radojçiq pas arratisjes së tij mbrëmë në pikën kufitare në Bërnjak. Radojçiq është i sanksionuar edhe nga Departamenti amerikan i Thesarit si pjesë e grupit kriminal që operon në veri të Kosovës raporton Gazeta Express.

Petkoviq ka shkruar se autoritetet e Kosovës kanë tentuar ta arrestojnë Radojçiqin sipas tij pa ndonjë bazë legale.

“Tentimi i autoriteteve të Prishtinës për të arrestuar nënkryetarin e Listës Serbe, Milan Radojçiq pa ndonjë evidencë valide ose bazë legale është një tjetër goditje ndaj serbëve në Kosovë dhe një përpjekje për të dobësuar Serbisë fuqinë në Kosovë para zgjedhjeve të 3 prillit”, ka shkruar ai.

Vartësi i presidentit Vuçiq, ka shkruar tutje se institucionet e Prishtinës po provojnë të intimidojnë serbët në Kosovë.

“Praktika e Prishtinës për të provuar të intimidojnë dhe të vendosin presion mbi serbët në Kosovë me aktakuza sekrete po vazhdon por s’do të kenë sukses”, ka shkruar Petkoviq.

Sot gjatë ditës në mbrojtje Radojçiqit i ka dalë edhe partia e tij Lista Serbe.

Partia kryesore parlamentare e serbëve të Kosovës, ka deklaruar se sipas informacioneve që kanë, kërkesa për arrestim të Radojçiqit s’përmbanë evidencë për ndonjë veprim ilegal të tij.

“Ne theksojmë se bazuar në informatat që kemi, kërkesa për arrest e Radojçiq nuk përmbanë evidencë për ndonjë veprim ilegal të tij, por vetëm është folur publikisht për rastit që është inicuar në lidhje me marrëdhënien dhe lëshimin e lejes ndërtimore në komunën e Shtërpcës dhe Radojçiq s’ka të bëjë asgjë me të. Informojmë publikun që Radojçiq s’ka pasur marrëdhënie biznesore në këtë komunë apo me objekte atje, për më tepër nënkryetari Radojçiq asnjëherë s’ka qenë në komunën e Shtërpcës”, thuhet në reagimin e tyre.

Ndryshe, dje dyshohet se Radojçiq është kthyer mbrapa me veturën e tij dhe është arratisur në Serbi, derisa zyrtarët policorë po kryenin procedurat e verifikimit të tij në pikën kufitare në Bërnjak.

Dokumentet e tij kanë mbetur te zyrtarët policorë.

Ndryshe, arratisja e Milan Radoiçiqit nuk është kapur fare nga kamerat e sigurisë në pikën kufitare në Bërnjak. Arsye për këtë ka qenë mosfunksionimi i tyre.

Lajmin e ka konfirmuar për Gazetën Express edhe prokurori Rasim Maloku.

Ai ka thënë se kanë nisur hetimet për këtë çështje.

“S’ka ende ndonjë informacion zyrtar pse s’kanë funksionu, por ka fillu një hetim. Është rekomandu edhe suspendimi i tre zyrtarëve policorë që kanë qenë në detyrë në atë kohë”, tha Maloku për Express.

Para disa ditësh Prokuroria e Ferizajit ka vendosur në listën e të kërkuarve Radojiçiqin për rastin “Brezovica”.

Exit mobile version