Site icon PrishtinaPress

53 milionët për “Bechtel Enka’n”, Prokuroria ngre aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës dhe Nebih Shatri

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj deputetit Pal Lekaj, ish-këshilltarit të tij, Eset Berisha dhe Nebih Shatri, për 53 milionë eurot i ishin dhënë konsorciumit “Bechtel-Enka” për projektin e ndërtimit të autostradës Prishtinë – Han i Elezit, në emër të kamatë-vonesës.

Ndaj tyre është ngritur aktakuzë për veprën  penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurve me iniciale P.L, N.SH dhe E.B.

Prokuroria Speciale njofton se aktakuza kundër të pandehurve të lartcekur është ngritur për shkak të dyshimit se të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën  penale ‘’Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar’’ nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31  të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka njoftuar Prokuroria.

Qeveria e Kosovës, në qershor të vitit të kaluar 2018, pati marrë vendimin, që t’i paguante 53 milionë shtesë kompanisë “Bechtel-Enka” për autostradën “Arbën Xhaferi”.

Mirëpo, menjëherë pas këtij vendimi Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kishte nisur hetimet, për të zbardhur arsyet që shpien te ky obligim i Qeverisë së Kosovës.

Departamenti Antikorrupsion në kuadër të policisë kishte ngritur kallëzim penal ndaj ish-ministrit Pal Lekaj dhe këshilltarit të tij Eset Berisha nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Kallëzimi penal ishte dorëzuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Exit mobile version