Presidenti Hashim Thaçi ka komentuar referendumin e mbajtur gjatë ditës së djeshme në Maqedoni, për miratimin e marrëveshjes së emrit me shtetin grek.
Thaçi ka thënë se uron që Kuvendi i Maqedonisë të marrë vendim pro evropian.
“Qytetarët e Maqedonisë, me vullnetin dhe votën e tyre në referendumin demokratik, vendosën për emrin e ri dhe të ardhmen e tyre euroatlantike. Votuesit e djeshëm, përfshirë edhe tërë bashkëkombësit tanë shqiptarë atje, dëshmuan qytetari dhe vullnet të qartë pro vlerave perëndimore”, ka shkruar Thaçi, përcjell KoosvaPress.
Pjesëmarrja në referendum ishte 36.79 për qind e votuesve, pa arritur dot kështu pragun e nevojshëm të 50% që nisma të konsiderohej një sukses.
Shumica dërrmuese 91.37 për qind ishte në favor te ndryshimit të emrit.