Site icon PrishtinaPress

Thaçi: Në vitin 2014 Kosova kishte mbështetjen e ndërkombëtarëve për ushtrinë

Presidenti Thaçi ka thënë se më 2014 Kosova ka pasur mbështetje të gjerë të faktorit ndërkombëtar dhe komuniteteve për krijimin e ushtrisë, por që, sipas tij, disa subjekte politike ishin kundër.

Thaçi ka thënë se në vitin 2014 Kosova ka pasur mbështetjen edhe të faktorit ndërkombëtar, por edhe të gjitha komuniteteve për transformimin e FSK-së në FAK, por sipas tij, për shkak të qëllimeve elektorale disa subjekte politike shqiptare nuk e kanë mbështetur këtë proces, duke aluduar kështu në LDK dhe në LVV.

Megjithatë, Thaçi ka thënë se nuk dëshiron t’ia drejtojë gishtin askujt për vonesën në formimin e ushtrisë.

Duke folur në ‘Fol Hapur’ te Lëvizja FOL, Thaçi tha se iniciativa që Kosova ta ketë ushtrinë e saj është legjitime dhe themelimi i ushtrisë është i domosdoshëm, edhe për faktin se Kosova nuk mund ta realizojë aspiratën e saj për anëtarësim në NATO, pa e pasur ushtrinë e saj.

“Iniciativën për themelimin e ushtrisë përmes ligjit e kam ndërmarrë duke qenë i bindur se janë shterur të gjitha mundësitë tjera. Iniciativa është legjitime e kushtetuese”, tha Presidenti Thaçi, duke vënë në pah faktin se dallimi mes tij dhe partnerëve ndërkombëtarë qëndron në mënyrën e formimit të ushtrisë, kjo pasi SHBA-të dhe shtetet tjera kërkojnë që ushtria të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese ku përfshihen edhe komunitetet, dhe jo përmes ligjit të propozuar.

“Duam që edhe serbët të jenë pjesë e procesit dhe ta mbështesin këtë proces”, tha Thaçi.

“SHBA-të kërkojnë që FAK të themelohet përmes ndryshimeve kushtetuese, këtë e duam edhe ne nëse është e mundur të realizohet në praktikë”, shtoi Thaçi, duke shtuar se të gjithë partnerët kanë shprehur gatishmërinë që serbët të binden për themelimin e ushtrisë, pasi Lista Serbe është kthyer në institucione.

“Do t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë që t’i bindim serbët”, tha ai.

Exit mobile version