Site icon PrishtinaPress

Thaçi: Heqja e vizave do të ishte lajmi më i mirë në dhjetëvjetorin e pavarësisë

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se kanë mbetur edhe pak ditë deri te publikimi i Strategjisë së Zgjerimit të Komisionit Evropian për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Thaçi ka cilësuar se kjo është një mundësi historike që edhe Kosova të përfshihet denjësisht në këtë strategji dhe qytetarët e Kosovës të kenë qartësi për hapat e radhës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Sipas Thaçit nuk është koha për fajësime apo shfajësime por është koha për një vendim të tillë si ratifikimi i marrëveshje për demarkacionin me Malin e Zi. Gjithashtu ai ka shtuar se lëvizja pa viza do të ishte lajmi më i mirë në dhjetëvjetorin e pavarësisë.

Ky është postimi i plotë:

Pak ditë kanë mbetur deri te publikimi i Strategjisë së Zgjerimit të Komisionit Evropian për integrimin evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo është një mundësi historike që edhe Kosova të përfshihet denjësisht në këtë strategji dhe qytetarët e Kosovës të kenë qartësi për hapat e radhës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Kjo qartësi, së bashku me lëvizjen e lirë dhe pa viza, do të ishin lajmi më i mirë për çdo qytetar të Kosovës në dhjetëvjetorin e pavarësisë së shtetit tonë. Bashkimi Evropian, i cili ka në dorë këtë strategji dhe vendimet e tjera të rëndësishme për vendin tonë, nuk preokupohet se çfarë dëshiron qytetari, por është i interesuar të shoh sa i kanë përmbushur kërkesat e tyre institucionet e vendit tonë.

Prandaj, këtu nuk ka të panjohura. Pyetja urgjente që kemi para vetes është: a do të bëjmë çka është e nevojshme për të hequr dyshimet se dëshirojmë një të ardhme në BE?

A dëshirojmë t’i japim rinisë sonë një shans që të përpiqen për një të ardhme meritore në familjen evropiane? Apo dëshirojmë që t’i ngatërrojmë përgjithmonë në kauza politike shkurtpamëse.

Tani nuk është koha për fajësime apo shfajësime, por për veprime në interes të shtetit dhe qytetarëve. Nuk mund ta theksoj mjaftueshëm sa e nevojshme është që në këto momente të tregojmë lidership të duhur.

E një vendim i tillë është edhe ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, vend që ndërmori vendime të vështira në raport me Kosovën, për të cilat u jemi mirënjohës. Duhet ta bëjmë atë që është në të mirë të qytetarëve, një perspektivë evropiane e qartë dhe një lëvizje e lirë e qytetarëve tanë në Evropë. HTH

Exit mobile version