Site icon PrishtinaPress

“Të ketë zbatim të plotë të zotimeve nga Kosova”, thirrja e presidentit të Këshillit Evropian për dialogun

Presidenti i ri i Këshillit Evropian, Antonio Costa, është deklaruar rreth zhvillimeve politike, e ndër të tjera edhe për dialogun Kosovë – Serbi dhe aplikimit për marrjen e statusit të kandidatit për Kosovën.

Kjo çështje nuk është trajtuar asnjëherë, me arsyetimin se ekzistojnë implikime politike për shkak të pesëshes mosnjohëse, por gjërat sipas tij mund të ndryshojnë sapo të ketë përparim në procesin e dialogut.

“Më e rëndësishmja është të vazhdohet me reformat në Kosovë. Të ketë zbatim të plotë të zotimeve nga ana e Kosovës, sepse e gjithë kjo ndihmon.

Ndërsa konkretizimi i detyrimeve nga dialogu mes Beogradit dhe Prishtinës është esencial për të krijuar kushte për të ecur përpara”, deklaroi Costa.

Vetëm dy ditë pas marrjes së detyrës, ai i kishte takuar liderët e Ballkanit Perëndimor.

Samiti i parë që do të kryesojë, për koincidencë, do të jetë pikërisht ai me vendet e rajonit, që do të mbahet më 18 dhjetor.

Antonio Costa premton se zgjerimin do ta ketë prioritet gjatë mandatit të tij në krye të Këshillit të BE-së.

Kosovën në këtë samit do ta përfaqësojë presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ndërsa Serbinë Aleksandar Vuçiq.

Do të jetë ky edhe një rast ku 27 liderët e Bashkimit Evropian do të konfirmojnë përkushtimin se gjashtë vendet e rajonit do të kenë vendin e tyre në familjen evropiane.

Exit mobile version