Site icon PrishtinaPress

Sot seancë në Hagë lidhur me aktakuzën e re ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Sot në Gjykatën Speciale do të mbahet konferenca për ecurinë e çështjes ndaj ish presidentit Hashim Thaçi dhe të tjerëve në rastin e aktakuzës së re. 

Seanca është paraparë të mbahet duke filluar nga ora 14:00, transmeton Gazeta Sinjali. 

Ndaj Thaçit, ish-ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ish-shefit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Bashkim Smakaj, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj, dhe Fadil Fazliut më 29 nëntor është ngritur aktakuza, e cila është bërë publike më 6 dhjetor.

Kuçi dhe Kilaj janë deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat përballen, në paraqitjet e tyre të para, të ndara, para Gjykatës Speciale.

Kurse Thaçi dhe Smakaj nuk janë deklaruar për akuzat që rëndojnë ndaj tyre. 

Të akuzuarit pranë Dhomave të Specializuara kanë afat që brenda 30 ditësh të deklarohen rreth akuzave.

Në aktakuzën e re, Thaçi ngarkohet me tri akuza për tentativë për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, me anë të pjesëmarrjes në veprimin e përbashkët të një grupi, katër akuza për shkelje të fshehtësisë së procedurës, dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Exit mobile version