“Kërkesat tona ndaj autoriteteve serbe për bashkëpunim juridik në rastin Ivanoviq kanë ngecur në atë çast kur të gjitha dyshimet e bazuara e nxorën Milan Radojçiqin si të dyshuarin kryesor për atentatin vdekjeprurës që shtetasit dhe politikanit të Republikës së Kosovës, Oliver Ivanoviq i kushtoi me jetë. Në vend të bashkëpunimit dhe vendosjes para drejtësisë së të dyshuarit kryesor, ai u mor në amnisti nga Presidenti Aleksandër Vuçiq. Nuk ka asnjë shpjegim racional përveç faktit se në mes Vuçiqit dhe Radojçiqit ekziston një marrëdhënie e tillë e urdhërdhënësit dhe ekzekutuesit” ka shkruar Tahiri.
I pari i Drejtësisë në ekzekutivin e vendit ka siguruar qytetarët e Kosovës, sidomos komunitetin serb, se institucionet e Kosovës do të punojnë derisa ta sjellin autorin e këtij krimi para drejtësisë.
“Qytetarët e Kosovës dhe veçmas ata të komunitetit serb duhet të jenë të sigurt se drejtësia herët a vonë do ta sjellë para përgjegjësisë autorin e këtij krimi, dhe të vërtetën e faktuar nuk do të ketë regjim që do të mund ta amnistojë. Ivanoviq ishte qytetar i Republikës së Kosovës për zbardhjen e rastit të së cilit institucionet tona nuk do të ndalen deri në fund” ka shkruar në fund Tahiri.