Site icon PrishtinaPress

Stavileci: 2017, viti i Termocentralit Kosova e Re

Qeveria po bën përpjekje maksimale që të kryej reformat ekonomike, që shkojnë në linjë me kërkesat e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, ku hyn harmonizimi i legjislacionit,  politikat tregtare, sundimi i ligjit dhe lufta kundër  korrupsionit, u tha gjatë tryezës “Dialogu për Investime”, të organizuar nga Këshilli i Investitorëve Evropianë (KIE) dhe Qeveria e Kosovës që u mbajt sot në Prishtinë.

Kryeministri Isa Mustafa, tha me këtë rast se zhvillimi ekonomik është prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe ky zhvillim është bazuar në një dialog të vazhdueshëm me bizneset, me asociacionet e bizneseve, në mënyrë që të ndërtohen politika ekonomike të përbashkëta.

“Mund të themi se kemi arritur të përmirësojmë jo vetëm ambientin e të bërit biznes në vend, por edhe të përmirësojmë rangimin tonë në indeksin e Bankës Botërore të Bërit Biznes, duke zënë vendin e 65-të, dhe para pak kohësh në Forumin Botëror të  Investitorëve, Qeveria e Kosovës ka fituar çmimin “Qeveria më e mirë e Evropës Juglindore për Mbështetjen e Ndërmarrësisë”, po ashtu kemi vlerësimin e Fondacionit “Heritage”, i cili e ka renditur Kosovën në vendin e 46-të në botë sa i përket lirive ekonomike”, tha ai.

Nga ana e tij, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci tha se viti 2017 do të jetë viti i termocentralit të shumë përfolur “Kosova e Re”, për të cilin pothuajse një vit janë zhvilluar negociata me investitorin amerikan, dhe në anën tjetër paralelisht janë zhvilluar edhe shumë platforma dialoguese me partnerët strategjikë të këtij projekti, mbi të gjitha me Bankën  Botërore edhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

“Nga java e ardhshme do të hyjmë në fazën finale e cila do të çojë te nënshkrimi i marrëveshjes komerciale. Gjatë gjithë kësaj kohe ne jemi munduar që ta bëjmë më të mirën e mundshme në mënyrë që ky projekt përveç dobive të shumëfishta ekonomike që i ka, t’i përfshijë në vete edhe aspektet e shumë kërkuara edhe nga komuniteti ndërkombëtarë”, tha Stavileci.

Ai bëri të ditur se që nga muaji prill investitori amerikan në bashkëpunim me Qeverinë dhe Bankën Botërore do të hap pakon tenderuese për ndërtimin e termocentralit dhe pas kësaj do të jetë ndërtimi, i cili do të fillojë vitin e ardhshëm, dhe vlerësoi se ky është një mesazh për investitorët evropian dhe më gjerë.

Duke folur për sektorin minerar, Stavileci tha se pas 17 vitesh është bërë zgjidhja ligjore për Trepçën, ndërsa studimi i fizibilitetit për këtë kompani do të jetë gati këtë vit, që do të pasohet nga propozimi i modeleve të mirëfillta ekonomike, të cilat do të jenë më shumë se sa një dritare për hapjen e investimeve në Trepçë.

Shefja e Zyrës së BE-së në Prishtinë, Nataliya Apostolova tha se i kanë identifikuar të gjitha pengesat dhe ka përparim, por megjithatë në disa çështje duhet të ketë vëmendje. “Qëllimi i këtij takimi është që t’i thërrasim të gjitha autoritetet relevante për çështje të caktuar, të identifikojmë problemet në të cilat kemi këndvështrime të kundërta. Kjo ngjarje nuk duhet të shihet si ngjarje ku duhet vetëm të diskutohet por duhet të konsiderohet si një platformë, ku do të ketë bisedime konstituive, ku duhet të transformohen në vendime konkrete”, tha ajo.

Më tej, Ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se po mbyllin një cikël të ri të reformave përmes të cilave bizneset vendore do të bëhen më konkurrente në Bashkimin Evropian, ndërsa shtoi se rritja ekonomike është falë këtyre reformave dhe  bashkëpunimit të mirë me odat ekonomike dhe bizneset./PrishtinaPress.eu/

Exit mobile version