Site icon PrishtinaPress

Spahiu: Nuk mjaftojnë shkarkimet e Gashit e Sefajt, ata duhen arrestuar!

Njohësi i çështjeve politike, Nexhmedin Spahiu në një prononcim për “Gazeta Blic”, ka folur për vendimin e kryeministrit Haradinaj për shkarkimin e dy zyrtarëve përgjegjës për arrestimin e gjashtë shtetasve turq.

Spahiu ka thënë se Drejtori i AKI-së, Driton Gashi dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj përveç që duhet të shkarkohen nga detyra ata duhet edhe të arrestohen.
Sipas tij kjo tentativë për depërtimin e shtetasve turq pa procedura gjyqësore është tentativë për grushtet.

“Përgjegjësit për deportimin e shtetasve turq pa procedura gjyqësore të parapara me ligj jo vetëm që duhet të lirohen nga detyra, por edhe duhet të arrestohen. Është tentim grushtshteti”, ka deklaruar Spahiu, raporton Gazeta Blic.

Ndryshe, të enjten, gjashtë shtetas turq, drejtues të Shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë, u arrestuan dhe më pas u deportuan për në Turqi.

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë të ditur se gjatë administrimit të provave kanë konstatuar se për personat në fjalë, ka bazë të mjaftueshme ligjore që të merren masat për revokimin e leje qëndrimit të tyre në territorin e Republikës së Kosovës, siç thuhet “për arsye të përcaktuara me ligjin për të huaj, konkretisht nenit 6 të ligjit ku flet për refuzimin apo revokimin e lejes së qëndrimit për rrethanat e sigurisë shtetërore”.

Por, më pas doli se të deportuarve nuk u është aprovuar e drejta e ankesës. Andaj, pritet që gjatë ditës, institucionet më të larta t’i ftojnë në raportim krerët e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë dhe Ministrin e Punëve të Brendshme të raportojnë se si ndodhi që deportimi u bë, sipas shumë dyshimeve, pa përfillur procedurat ligjore e kushtetuese.

Pas këtyre zhvillimeve, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, kryeministri Haradinaj e kryeparlamentari Kadri Veseli kanë thënë se nuk kanë qenë në dijeni që ka ndodhur arrestimi i shtetasve turq.

Para pak çastesh, kryeministri i vendit ka shkarkuar nga detyra Drejtorin e AKI-së, Driton Gashi si dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj.

Exit mobile version