Ndeshja basketbollistike e paraparë të zhvillohet nesër ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Pejës nuk do të zhvillohet, ka njoftuar Federata e Basketbollit të Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar të Federatës, takimi do të regjistrohet me rezultat zyrtar, në përputhje me rregulloret në fuqi.
Në një njoftim të publikuar nga klubi, Sigal Prishtina ka bërë të ditur se arsyeja lidhet me pamundësinë për sigurimin e Letter of Clearance (LoC) për lojtarët e saj nga FIBA.
Klubi ka sqaruar se bëhet fjalë për obligime financiare ndaj agjentëve dhe disa lojtarëve, të krijuara që nga fillimi i sezonit të kaluar. Sipas Prishtinës, mosrespektimi i afateve të pagesave në fund të vitit 2025 ka çuar në hapjen e rasteve pranë FIBA-s dhe Basketball Arbitral Tribunal (BAT).
Prishtina thotë se pagesat e kërkuara nga avokati që e përfaqëson klubin pranë FIBA-s janë kryer, por procedurat ende nuk janë përfunduar, pasi në radhë ndodhen edhe raste të tjera të klubeve me probleme të ngjashme.
Klubi kryeqytetas ka falënderuar edhe Federatën e Basketbollit të Kosovës për mbështetjen dhe veprimet e ndërmarra për zgjidhjen e situatës.
“Pavarësisht përpjekjeve tona dhe të Federatës, vendimi përfundimtar dhe koha e përfundimit të procedurës pranë FIBA-s nuk kanë qenë në kompetencën tonë”, thuhet në njoftimin e Sigal Prishtinës.
Prishtina ka bërë të ditur se ndeshjen e radhës do ta zhvillojë ndaj Vllaznimit në Gjakovë.





