Shqipëria nën kërcënimin e motit të keq, ja qarqet në rrezik për përmbytje

Shqipëria pritet të përballet me një përkeqësim të ndjeshëm të kushteve atmosferike gjatë ditës së enjte, ku reshjet intensive të shiut dhe shtrëngatat do të prekin një pjesë të mirë të territorit. Situata mund të sjellë problematika të ndryshme, përfshirë përmbytje të lokalizuara dhe rrëshqitje të dherave.

Sipas parashikimit të Institutit të Gjeoshkencave, Shkodra do të jetë qarku më i ekspozuar ndaj reshjeve shumë intensive. Ndërkohë, reshje intensive deri në shumë intensive parashikohen në Kukës, Dibër dhe Lezhë, ndërsa në Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Gjirokastër pritet gjithashtu një intensitet i lartë i tyre. Në qarqet Elbasan dhe Fier reshjet do të jenë kryesisht mesatare, me mundësi intensifikimi në disa zona.

Autoritetet paralajmërojnë se në zonat malore të Shkodrës, Kukësit, Vlorës dhe Gjirokastrës mund të ketë vërshime të shpejta të përrenjve dhe lumenjve të vegjël, si dhe rrëshqitje të masiveve të dheut. Rreziku për përmbytje të përqendruara në zona të caktuara mbetet i pranishëm edhe në zonat urbane të qarqeve Shkodër, Kukës, Dibër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër, në varësi të funksionimit të sistemeve të kanalizimeve.

Reshjet e parashikuara pritet të ndikojnë gjithashtu në shtimin e prurjeve në disa prej lumenjve kryesorë të vendit, konkretisht Drin-Buna, Mat, Ishëm, Erzen, Shkumbin, Seman dhe Vjosë.

Sa i përket temperaturave, gjatë ditës së sotme vlerat minimale dhe maksimale pritet të jenë:

  • Në zonat bregdetare: 11–17°C.
  • Në zonat e ulëta: 12–18°C.
  • Në zonat malore: 3–13°C.

Edhe era do të jetë një tjetër element për t’u marrë në konsideratë. Ajo parashikohet të fryjë me intensitet mesatar në pjesën më të madhe të vendit, ndërsa përgjatë vijës bregdetare pritet të jetë e fortë deri shumë e fortë.

Shtrëngatat parashikohen të jenë të pranishme në të gjitha qarqet e vendit, ndaj qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes, veçanërisht në zonat me rrezik të shtuar nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e tokës.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img