Të paktën 45 persona, duke përfshirë një foshnjë të porsalindur, kanë vdekur pas një përmbytjeje të anijes, teksa përpiqeshin të zbarkonin në një plazh në det të trazuar, në brigjet e rajonit të Kalabrisë së Italisë.Shërbimi zjarrfikës i Italisë njoftoi se 28 trupa u gjetën herët në mëngjesin e së dielës, ku shumë prej tyre u raportuan se u lanë në një plazh turistik pranë Steccato di Cutro, ndërsa të tjerët u gjetën në det.
Rreth 120 njerëz u raportuan të ishin në bordin e varkës përpara se ajo të përplasej në shkëmbinj. 81 persona mbijetuan, 22 prej tyre u dërguan në spital.“Është diçka që njeriu nuk do të donte kurrë ta shihte. Deti vazhdon të kthejë trupat. Mes viktimave ka gra dhe fëmijë”, tha Antonio Ceraso, kryebashkiaku i Cutros.
Thuhet se rrënojat e varkës u panë nga një peshkatar herët të dielën.Rai News raportoi se anija “u nda në dysh”, duke cituar burime që thanë se personat në bord nuk kishin kohë për të kërkuar ndihmë. Anija besohet të jetë nisur nga Turqia me njerëz nga Irani, Pakistani dhe Afganistani.
Në vendngjarje shkuan rojet bregdetare italiane, zjarrfikësit, policia dhe ekipet e shpëtimit të Kryqit të Kuq.Italia është një nga pikat kryesore të uljes për njerëzit që përpiqen të hyjnë në Evropë përmes detit. E ashtuquajtura rrugë e Mesdheut qendror njihet si një nga më të rrezikshmet në botë.