Site icon PrishtinaPress

Sërish protestë para ambasadës së Serbisë në Tiranë kundër qëllimeve të Vuçiqit në Kosovë

Disa qytetarë në Tiranë kanë mbajtur protestë në mesditën e të enjtes përballë ambasadës serbe.

Dhjetëra qytetarë janë mbledhur aty dhe kërkojnë nga autoritetet në Beograd që të mos ketë më provokime ndaj Republikës së Kosovës.

I pranishëm në protestë ishte dhe aktivisti i Vetëvendosjes, Elvis Hoxha, i cili tha se protesta mbahet për të dënuar qëllimet luftënxitëse të Serbisë në Kosovë, raporton Euronews.al.

“Kjo është një protestë qytetare kundër pozicioneve luftënxitëse të Serbisë dhe për t’i treguar që ka dhe qëndrime thjesht qytetare dhe jo vetëm politike. Nuk mund të pranohet kurrsesi ky qëndrim arkaik i Serbisë. Nuk mund të përdoren as barrikadat, as të pengohet lëvizja e lirë, as nuk mund të merret peng popullsia serbe e Kosovës për të realizuar qëllimet e Vuçiqit”, tha Hoxha.

Edhe para dy ditësh (të martën) pati protestë para të njëjtës ndërtesë. Protestuesit atë ditë mbanin në duar pankarta me mbishkrimet “Të gjitha trojet shqiptare janë me ty Kosovë”, “Trepça dhe Ujmani janë pasuri e Kosovës”, “Kosovë-Shqipëri, ne jemi një”, “Jo asociacioneve në tokat shqiptare”, “Jo Republika Serbe në Kosovë” dhe të tjera.

Exit mobile version