Site icon PrishtinaPress

Krasniqi për Qeverinë Kurti: Vit i rrezikimit të shtetit, dështimit ekonomik dhe varfërimit të qytetarëve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në konferencën përmbyllëse për media, ka thënë se viti 2022 për Kosovën ka qenë vit i dështimit në energji, ekonomi, arsim, diplomaci dhe shëndetësi.

Kryetari Krasniqi tha se viti që po e lëmë pas mund të përshkruhet me tre karakteristika: “Vit i stagnimit ekonomik përbrenda dhe inflacionit rekord; Vit i pasigurisë sociale për qytetarë dhe i ikjes së të rinjve; Një vit i dështuar politik për shtetin dhe izolimit nga jashtë”.

Krasniqi tha se kjo gjendje është rezultat i keqeverisjes së Kryeministrit Kurti dhe kabinetit të tij qeverisës, të cilët veçse i kanë thelluar krizat duke e tërhequr krejt Kosovën në një gjendje depresioni kolektiv e degradimi shtetëror.

“Zhvillimet e fundit, e dëshmojnë më mirë se çdo gjë tjetër, që Kosova është duke kaluar një prej momenteve më të brishta që prej se është shpallur shtet sovran, e pa asnjë dyshim, një moment të brishtë dhe të paprecedentë pothuajse që 23 vite pas çlirimit. Nuk është as e lehtë dhe as dëshirë e jona, që vitin 2022 të mos mund ta mbajmë mend për gjëra të mira, por, fatkeqësisht, kjo është “Kronikë e një dështimi të paralajmëruar” nga unë dhe PDK qysh me 22 mars të vitit 2021, kur ishte emëruar Qeveria Kurti II. Kabineti i dobët dhe planprogrami i varfër i kësaj qeverie, por edhe përvoja me Qeverinë Kurti I, na kishin treguar qysh në fillim se çka na pret. Gjatë këtij viti, Kjo Qeveri ka prodhuar gjithçka, përveç program zhvillimor e mbështetës për shtetin dhe qytetarët”, theksoi ai.

Krasniqi rikujtoi se ky vit pati nisur në një atmosferë të paralajmëruar të krizës energjetike nga opozita, zgjidhjen e së cilës Qeveria e ka gjetur duke e shtrenjtuar energjinë elektrike në kurriz të qytetarëve.

“Nga aranzhmanet e asaj periudhe, mbahen mend vetëm dy fakte kryeneqe.E para: Mbahet mend emri i Ambasadorit Martin Berishaj dhe skandalit ndërkombëtar që lidhet me emrin e tij dhe mafisë energjetike, të cilin, pushteti i Albin Kurtit jo që nuk e përballi me përgjegjësi, por e mbrojti me këmbëngulësi. Dhe e dyta: Subvencionimi i energjisë për serbët në pjesën veriore të Kosovës në vlerë prej 100 milionë eurove”, tha ai.

Kreu i PDK-së theksoi se ekonomia që u trumbetua se do të jetë e lirë dhe e drejtë, gjatë vitit 2022 ka stagnuar dhe nuk është zhvilluar as si e drejtë, as si e lirë.

“Sot, kur kostoja e jetesës në Kosovë është më e larta ndonjëherë, si pasojë e ngritjes së të gjitha çmimeve të produkteve esenciale, më së paku që kanë pasur nevojë qytetarët ka qenë keqqeverisja dhe vendimet e panumërta në dëm të mirëqenies së tyre nga kjo Qeveri. Madje, për më keq, në raportet ndërkombëtare për lirinë ekonomike, Kosova është degraduar për 28 vende më keq se në vitin 2021. Asnjë investim kapital për një vit të tërë, në kohën kur investimet kapitale janë instrument për të zhbllokuar ekonominë nga kriza në të cilën jemi përfshirë, përderisa paratë e taksapaguesve, rreth 700 milion euro që vegjetojë në Bankën Qendrore, janë zhvleftësuar nga inflacioni në vend se të përdoreshin për të lehtësuar ndikimin e krizës ekonomike”, tha ai.

Krasniqi potencoi se qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konsistent për t’ua lehtësuar familjeve kosovare përballjen me inflacionin, madje ka refuzuar edhe iniciativat e idetë se si mund ta bëjë një gjë të tillë.

“Tërheqja e mjeteve të TRUST-it nuk ishte kërkesë e PDK-së, mbi të gjitha ishte kërkesë e qytetarëve, të cilët duke u ndjerë të braktisur nga qeveria, kërkonin së paku qasje në një pjesë të mjeteve të veta. Edhe kjo iu është mohuar atyre. Për një vit, as edhe një investitor i huaj, as edhe një investim domethënës, ndërsa shkalla e papunësisë vazhdon të jetë enorme, përderisa numri i atyre që janë duke prekur vijën e varfërisë është rritur në përmasa të frikshme. Të gjitha këto i përmbledhë më së miri rritja ekonomike si pasojë e kësaj qeverisje shterpe është vetëm rreth 2.5 për qind”, tha ai.

Ndërsa, sa i përket arsimit, Krasniqi tha se kryefjala për këtë sektor në vitin 2022 ishte greva.

“Për arsimin që e premtonin se do ta bënin arsim cilësor e konkurrent, për një vit nuk kemi dëgjuar tjetër lajm, përveç grevës në arsim. Mënyrën se si iu pat qasur dialogut me sindikatat, lojën me nerva dhe testin psikologjik të dorëzimit, Qeveria e Albin Kurtit e ka manifestuar në kurriz të nxënësve, prindërve e arsimtarëve. Pasojat afatshkurta të lojës e testimit psikologjik të sindikatave të arsimit nga ana e qeverisë në kuptim afatshkurtë edhe sot janë duke i përjetuar nxënësit e arsimtarët, e në kuptim afatgjatë do shihen më vonë. Për më tepër, dy janë veprimet në të cilat kjo Qeveri nuk është angazhuar aspak e pasojat e tyre do t’i vuajnë fëmijët tanë e Kosovës. Nuk planprogram dhe veprime konkrete për ngritjen e cilësisë në Arsim. Nuk ka as programe emergjente, të planifikuara dhe koordinuara mirë për nxënien e orëve të humbura gjatë 30 ditëve të grevës në arsim”, u shpreh lideri i PDK-së.

Krasniqi tha se Kosova gjatë vitit 2022, ka mbetur pa politikë të jashtme reale.

“Në sinkron me Presidenten, Kryeministrin dhe Ministren përkatëse, shteti ynë ka abstenuar nga politika e jashtme, duke e humbur shansin për të shfrytëzuar rrethanat e krijuara në fillim të vitit, për ta avancuar agjendën tonë shtetërore. I kemi bërë thirrjeme kohë qeverisë për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Partneritet me NATO-n. Për të parën ka pasur iniciativë të vonuar, e cila sot s’dihet se ku është, ndërsa për të dytën as edhe iniciativë. Aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian, ekskluzivisht, ka qenë dhe do të dëshmohet i tillë, vetëm sa për sy e faqe dhe pa asnjë koordinim me partnerët tanë ndërkombëtarë. Në anën tjetër, gjatë këtij viti kur bota po rirreshtohej në vlera e parime, Kosovës nuk i ka ardhur asnjë njohje e re. As anëtarësim në Organizata Ndërkombëtare, asnjë avancim në marrëdhënie bilaterale”, tha ai.

Krasniqi tha se këtë vit qytetarët e Kosovës kanë parë një shumicë politike që ka anashkaluar drejtësinë dhe ligjin e ka bërë vetë, duke sulmuar mediat, mendimin kritik, e linçuar këdo që mendon ndryshe.

“Edhe pse i kemi dhënë mbështetje, shtytje dhe propozime konkrete për Vetingun, asgjë substanciale për vetingun nuk ka lëvizur. Madje përveç dialogjeve me fanatizëm, në drejtësi nuk është parë kurrfarë ndryshimi që do të rriste efikasitetin, efektivitetin dhe llogaridhënien në sektorin e drejtësisë. Iniciativat për Byro Politike për Konfiskim të Pasurisë së Paligjshme, siç e dini i ka hedhur poshtë Komisioni i Venecias, sepse qasja e kësaj qeverie në reformat e drejtësisë nuk ka qenë qasje për të rregulluar diçka konkrete, por për të prodhuar mekanizma politik të shantazhit. Të gjithë e dimë edhe si e trajtoi kjo Qeveri rastin e Astrit Deharit. Në duar të tyre, me përgjegjës që caktuan vet, humbën mostrat e këtij rasti, për ta dërguar në pakthim zbardhjen e plotë të tij. Çfarë ndodhi më pas ishte një heshtje e plotë dhe zhvendosje e vëmendjes, duke e përdorur vetëm politikisht si rast, e aspak me interes për ta gjetur të vërtetën”, theksoi ai.

Sipas Krasniqit, Albin Kurti dhe qeveria e tij janë përpjekur të përvidhen në ngjarje të caktuara duke tentuar t’i paraqesin si të arritura të tyre.

“Një e tillë ishte Marrëveshja me MCC-në, përmes së cilës kjo Qeveri i humbi Kosovës shansin e madh për projekt konkret, atë të ndërtimit të infrastrukturës së gazit, të cilën e kishim siguruar ne më parë, dhe i solli vetëm bateritë për ruajtjen e energjisë”, tha ai.

Krasniqi tha se një ndër fenomenet më tragjike të këtij viti ishte largimi masiv i të rinjve nga Kosova.

“Si pasojë e një qeverisje të vobektë e të paaftë për të marrë përgjegjësi e për të orientuar dinamikat e nevojshme sociale e ekonomike, një nga fenomenet më tragjike do të thosha të këtij viti, ishte largimi masiv i të rinjve dhe të rejave të Kosovës. Rreth 200 mijë vetëm këtë vit, fatin dhe perspektivën e tyre e kanë kërkuar në dyert e ambasadave. Është dëm tejet i madh, që aseti më i madh që ka Republika e Kosovës, rinia, energjinë, vullnetin dhe përkushtimin e tyre të mos e bëjnë për zhvillimin e vendit tonë. Për ta, shpresa e proklamuar, sot është shpresë e vjedhur!”, theksoi Krasniqi.

Kryetari i PDK-së tha se ky vit do të mbahet mend për shëndetësi pa ministër dhe përplot skandale.

“Listat e pritjes nëpër të gjitha klinikat e QKUK-së dhe Spitaleve të Përgjithshme janë rritur në mbi një vjet. Sot, në QKUK, lista e pritjes për stentim është disa mujore, duke i detyruar pacientët që zgjidhje të gjejnë në spitale private e të shpenzojnë mijëra euro. Ju kujtohet që në kohën e kur PDK e ka udhëhequr këtë ministri, nuk ka pasur fare listë të pritjes për stentim dhe sëmundjet e zemrës. Furnizimi me ilaçe nuk ka qenë asnjëherë më i dobët, fatkeqësisht, edhe për pacientët të sëmurë me kancer. Brenda dy viteve dhe dy mandateve, Kryeministri Kurti ka emëruar pesë ministra të shëndetësisë, prej të cilëve tri herë Arben Vitinë. Mbi të gjitha, nuk besoj se do më shumë koment fakti se në kohën kur nën orbitën e këtij sektori kanë ndodhur dy ngjarje tragjike, një në QKUK dhe një në Spitalin e Pejës, shëndetësia nuk ka pasur ministër për afër tre muaj me radhë”, tha ai.

Krasniqi tha se lista e dështimeve të qeverisë Kurti gjatë vitit 2022, është e gjatë dhe lë në hije çdo sukses eventual e rrethanor që ka mundur të ndodhë, e të cilin PDK e ka mirëpritur.

“Gjatë këtij viti kemi parë kapje bordesh e institucionesh të pavarura me njerëz të emëruar mbi bazë politike, mos bashkëpunim me nivelin lokal dhe penalizim fondesh e projektesh në komunat ku nuk udhëheqë Vetëvendosja, si dhe një tentativë anti-kushtetuese për të kapur të gjithë administratën publike, siç ishte rasti i fundit me miratimin e Ligjit të Pagave dhe Ligjit për Zyrtarët Publikë. E për fund, krye tema që ka karakterizuar këtë vit, ishte kjo që është sot, devijimi i procesit të dialogut me Serbinë, nga një synim për marrëveshje gjithëpërfshirëse për njohje, në proces teknik për çështjet e brendshme të Kosovës, rezultati i të cilit, e ka prodhuar gjendjen që e shohim sot, ku një pjesë e vendit është mbajtur për pothuasje tri javë efektivisht e bllokuar nga barrikadat e grupeve kriminale që janë vënë në shërbim të Aleksandër Vucicit”, tha Krasniqi.

Krasniqi theksoi se gjatë vitit 2022, PDK është përpjekur të ndërtoj një pikëpamje të qëndrueshme për atë çfarë i duhet Kosovës duke orientuar debatin ku duhet si Grup Parlamentar dhe në kuadër të reformave të brendshme, ka ndërmarrë një numër të vendimeve të cilat kanë fuqizuar dhe rritur partinë brenda dhe jashtë Kosovës.

“Kemi marrë vendimin për barazi të plotë gjinore në struktura dhe vendimmarrje – 50/50, rinisë i kemi dhënë zë, përmes një procesi zgjedhor gjithëpërfshirës dhe demokratik, kemi gati për të përmbyllur Kabinetin për Qeverisje të Mirë, ndërsa Komisioni për Organizimin e PDK-së ka bërë një punë të shkëlqyeshme në rritjen dhe shtrirjen e PDK-së në të gjitha vendet ku jetojnë bashkëatdhetarët tonë në mërgatë. Në kontekstin e jashtëm, PDK është pranuar me të drejta të plota në Rrjetin e Liberalëve të Evropës Juglindore (LIBSEEN) dhe në Aleancën e Liberalëve dhe Demokratike të Evropës (ALDE). Ky është një hap i madh drejt përqafimit të vlerave evropiane dhe rikonfrimim i njohjes së reformave thelbësore që kemi bërë gjatë këtij viti si parti”, theksoi Krasniqi.

Ai tha se viti 2022 ishte vit që ka treguar qartë se Albin Kurti nuk ka kurrfarë projekti politik për vendin.

“Për më tepër, ai tregoi edhe një gjë: As nuk do e as nuk di të qeverisë. Madje, po shfrytëzon secilën mundësi duke krijuar kriza pas krizash që të ikë nga përgjegjësia dhe qeverisja. Tash e dimë edhe se s’mund ta presim qeverisje prej tij. Prandaj, në vitin që po hyjmë, përgjegjësitë tona si parti politike janë edhe më të mëdha dhe do punojmë edhe më shumë që të jemi në krye të këtyre përgjegjësive. Ndonëse është e qartë se Kosova nuk ka të ardhme me këtë kryeministër dhe këtë qeveri, Kosova në vetvete dhe shoqëria e saj, pa asnjë dyshim se kanë të ardhme të sigurtë. Prandaj, duke shpresuar që në vitin 2023, gjërat të marrin kahjen e duhur, unë për fund, ju uroj juve dhe gjithë qytetarëve një vit të mbarë”, përfundoi kryetari Memli Krasniqi./Prishtinapress/

Exit mobile version