Site icon PrishtinaPress

Serbia kushtëzon dialogun me formimin e Asociacionit

Kreu i delegacionit të Beogradit në bisedimet me Kosovën, Marko Gjuriq, ka thënë të enjten në Bruksel se pala serbe kushtëzon përparimin në dialog me zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë.

Pas përfundimit të bisedimeve ndërmjet dy delegacioneve, ku është diskutuar për pretendimet financiare mes dy vendeve, Gjuriq tha se “një takim i mundshëm në të ardhmen i nivelit më të lartë mes dy vendeve, do të varet nga gatishmëria e Prishtinës për të punuar në zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin”.

Dialogu në mes palëve në Bruksel është ripërtërirë më 16 korrik dhe ai po ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë takuar për herë të dytë më 7 shtator.

Me këtë rast, sipas deklaratave të të dyja palëve, janë hapur temat për Asociacionin e Komunave me shumicë Serbe, për pretendimet e përbashkëta financiare dhe pronësore, ndërkaq janë harmonizuar qëndrimet lidhur me çështjen e të pagjeturve, personave të zhvendosur, si dhe për bashkëpunimin ekonomik.

Temat që ata përcaktojnë, diskutohen më tej nga ekipet e ekspertëve të të dyja vendeve.

Gjuriq tha se delegacioni i Beogradit gjatë bisedimeve të së enjtes ka insistuar që tema e Asociacionit të jetë si tema e parë e bisedës, por, sipas tij, një gjë e tillë u kundërshtua nga përfaqësuesit e Prishtinës.

Edhe kreu i delegacionit të Kosovës, Skender Hyseni, tha më herët se e ka kundërshtuar hapjen e bisedimeve për Asociacionin.

Ai tha se palët kanë qëndrime shumë të kundërta për temën e pretendimeve financiare, e cila është diskutuar të enjten.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Mirosllav Lajçak, i cili ndërmjetësoi bisedimet e së enjtes në Bruksel, tha përmes një postimi në rrjetin social Twitter, se diskutimet mbi pretendimet e ndërsjella financiare dhe pronën, kanë konfirmuar ndjeshmërinë e kësaj çështjeje. Ai tha se diskutimet do të vazhdojnë, mirëpo pa dhënë detaje se kur do të jetë data tjetër e takimit./REL

Exit mobile version