Ai që po quhet “shtabi i krizës së popullit serb nga veriu i Kosovës”, i vendosur pas ngritjes së barrikadave nga grupet kriminale në pjesën veriore të vendit, ka bërë thirrje për protestë më 22 dhjetor për shkak të, siç thonë, “kërcënimeve të fundit të Albin Kurtit”, i cili, siç thonë ata, “bëri thirrje për zhdukjen e popullit serb dhe vrasjen e serbëve në barrikada”.
Ftesa, shtojnë ata, është edhe për shkak të mbështetjes direkte të Kurtit nga ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, “i cili guxoi të vendoste ultimatume dhe afate për heqjen e barrikadave dhe u mbajt në anën e terrorit dhe dhunës së Kurtit”, raporton transmetuesi publik i Serbisë.
“Ftojmë popullin serb që jeton në Kosovë” në protestën “më të madhe publike që ka ndodhur ndonjëherë, e cila do të mbahet të enjten më 22 dhjetor në ora 12:00 në Rudar afër kryqit, ku populli ynë i përbërë nga mjekët tanë, profesorët, mësuesit, minatorët, të afërmit, fqinjët, nënat, motrat tona të mblidhen për të dërguar një mesazh të qartë të përbashkët se ne nuk pajtohemi me persekutim dhe vrasje dhe se veriu i Kosovës” nuk është “as Gjermania dhe as oborri i Kurtit, por vendi ku jetojmë dhe ku duam të qëndrojmë e të mbijetojmë”, thuhet në njoftimin e të ashtuquajturit shtab të krizave, shkruan Klankosova.tv.
Kujtojmë se sot po hyjmë në ditën e 12-të që kur u vendosën barrikadat në veriun e Kosovës, me ç’rast u mbyllën edhe dy pikat kufitare me Serbinë, Jarinja dhe Bërnjaku.
Kurti ndërkaq, sipas asaj që raportoi dje “The Guardian”, tha se “shqetësimi ynë është se heqja e këtyre barrikadave nuk mund t’i përjashtojë mundësitë e viktimave”./Prishtinapress/