Deputeti Salih Murat ka zhvilluar një takim në Kuvend me Zëvendësambasadorin e Francës në Shkup, Philippe Marchetesu, dhe Sekretarin e Parë për Çështje Politike dhe Marrëdhënie me Publikun, Nicolas Sasnois.
Në fokus të bisedës ishte mbështetja e Francës për rrugën evropiane të Maqedonisë së Veriut, si dhe situata aktuale e ligjeve harmonizuese me Bashkimin Evropian dhe arsyet e ngadalësimit të reformave. Murat i informoi diplomatët francezë për iniciativat që ka ndërmarrë në Kuvend dhe për angazhimin e tij në mbrojtje të të drejtave të komuniteteve, me theks të veçantë tek komuniteti turk.
Ai ngriti shqetësime për politika që, sipas tij, nuk janë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe standardet ndërkombëtare, duke përmendur edhe gjetjet e raportit të Ombudsmanit për përfaqësimin e drejtë dhe proporcional për vitin 2024, të cilat i ka adresuar edhe tek OSBE-ja dhe organizata të tjera vendore e ndërkombëtare.
Murat theksoi se përparimi drejt BE-së kërkon respektim të plotë të sundimit të ligjit, barazisë dhe të drejtave kushtetuese të komuniteteve. Ai solli shembuj konkretë lidhur me çështjet që prekin turqit e Maqedonisë së Veriut, përfshirë arsimin në gjuhën amtare, përfaqësimin e drejtë, statusin zyrtar të gjuhës turke, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe sistemin e zonave zgjedhore.
Sipas Muratit, roli i BE-së, OSBE-së dhe institucioneve ndërkombëtare mbetet kyç për garantimin e përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare nga Maqedonia e Veriut.





