Site icon PrishtinaPress

Rusia akuzon Perëndimin për eskalim të situatës në Kosovë

Shtetet Perëndimore po e eskalojnë situatën në Kosovë në mënyrë që t’i bëjnë presion shtesë lidershipit politik serb.

Kështu është shprehur zëdhënësja e Këshillit Federal rus, Valentina Matviyenko.

“Fuqitë perëndimore po provokojnë në mënyrë metodike dhe të përsëritur përshkallëzimin e situatës” në Kosovë “me qëllim që të ushtrojnë presion të shtuar mbi lidershipin politik në Beograd, për ta detyruar atë të braktisë interesat e veta themelore kombëtare, [dhe] për të sakrifikuar marrëdhëniet miqësore me Rusinë vëllazërore dhe partnerë të tjerë tradicionalë”, tha Matviyenko, sipas një deklarate të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Federatës të premten, raporton agjencia shtetërore ruse e lajmeve “TASS”.

Ajo shtoi se fajtorët e drejtpërdrejtë të “dhunës së shfrenuar anti-serbe” në Kosovë ishin në fakt Uashingtoni dhe Brukseli.

“I kanë toleruar prej vitesh ultranacionalistët shqiptarë dhe sot kur u rrjedh gjak, pretendojnë kinse janë vetëm paqebërës. Kjo tregon mospërputhjen e plotë të vetë Perëndimit, i cili pretendon të jetë lider i vlerave demokratike, bartës i vlerave demokratike, bartës i recetave për mirëqenien dhe zhvillimin, por në realitet është thellësisht tregtar dhe i interesuar të nënshtrojë Ballkanin ndaj vullnetit dhe interesave të tij perandorake”, theksoi Matviyenko.

Sipas saj, “radikalët kosovarë” po e sjellin situatën në një konflikt të ri dramatik në rajon. Në të njëjtën kohë SHBA-ja, “me ndihmën e NATO-s dhe një BE-je me vullnet të dobët”, po i inkurajon ata energjikisht, tha më tej Matviyenko.

“Flirtimi me Prishtinën çon në një rritje të sulmeve ndaj serbëve, ngacmime të mëtejshme të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë”… “dhe kthimin e spastrimit etnik në shkallë të gjerë”, deklaroi Matviyenko.

Exit mobile version