Site icon PrishtinaPress

“Drita e gjelbër” për arrestime të personave që shkaktuan dhunë, çfarë tha mbrëmë Borrell

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, në deklarimin për media pas takimeve që pati dje në Bruksel me kryeministrin Kurti dhe presidentin serb Vuçiq, foli edhe për ata që shkaktuan dhunë gjatë tensioneve të fundit në protestat në Veri.

Ai tha se nuk mund të ketë pandëshkueshmëri për autorët e dhunës, por kërkoi që kjo të bëhet në mënyrë profesionale.

“Mendoj se kemi qenë shumë të qartë edhe se nuk mund të mos ketë mosndëshkim për autorët e dhunës, por kjo çështje duhet t’i lihet organeve të drejtësisë që të trajtohet në mënyrë profesionale dhe të paanshme”

Megjithatë, ai theksoi se “arrestimi ose keqtrajtimi arbitrar i padrejtë i të burgosurve është krejtësisht i papranueshëm”.

Sjellja para drejtësisë e kriminelëve dhe bandave në Veri ishte edhe kërkesa e Kurtit drejtuar BE-së në planin pesëpikësh që ia dërgoi ditë më parë Borrellit.

Kryeministri kishte kërkuar “sundimin e ligjit në katër komunat në veri, që nënkupton identifikimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e drejtë të të gjithë anëtarëve të grupeve kriminale që kanë sulmuar Policinë, trupat e NATO-s dhe gazetarët”, si dhe “grupet e dhunshme të tërhiqen menjëherë nga territori i Kosovës dhe ndalohet çdo akt kriminal kundër institucioneve të Kosovës”.

Të premten, Policia e Kosovës njoftoi se e ka arrestuar N.O., i dyshuar për sulm ndaj KFOR’it.

Sipas policisë i arrestuari me vendbanim në Mitrovicën e Veriut, është i i njohur me nofkat “Nemac” dhe “Rusi”.

“Arrestimi i tij dhe shoqërimi në stacion policor është kryer pas sigurimit të dëshmive, se i njëjti është përfshirë në sulm ndaj KFOR-it me datën 29 maj 2023, ku si pasojë e sulmeve dhe dhunës së shfaqur dhjetëra pjesëtarë të KFOR-it kanë pësuar lëndime trupore. Të gjitha veprimet e mëtejme do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e policisë.

Exit mobile version