Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se gjatë 24 orëve të fundit, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKShPK dhe laboratorët private me metodën RT-PCR, si dhe laboratorët publike dhe private me metodën RAT, janë testuar gjithsej 3.621 mostra të marra nga ShSKUK dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, prej të cilëve rezultojnë 632 raste pozitive.
IKSHPK njofton se brenda 24 orëve janë raportuar 8 raste të vdekjes me SARS CoV-2 pozitiv. Rastet e vdekjes janë nga komunat: Ferizaj 3 raste (86, 77, 57 vjeç), Prizren 3 raste (79, 74, 65 vjeç), Podujevë 1 rast (77 vjeç), Prishtinë 1 rast (88 vjeç).
Numri total i rasteve pozitive është 75.380 raste nga 345.064 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 1.682 raste të vdekjes.
Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 397 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 63.380 raste, kurse numri i rasteve aktive është 10.318.
Rastet pozitive janë nga komunat: Prishtinë 276 raste, Gjilan 35 raste, Mitrovicë 34 raste, Podujevë 34 raste, Pejë 33 raste, Gjakovë 28 raste, Ferizaj 25 raste, Fushë-Kosovë 24 raste, Vushtrri 24 raste, Viti 18 raste, Kamenicë 14 raste, Obiliq 12 raste, Suharekë 12 raste, Klinë 11 raste, Prizren 9 raste, Lipjan 8 raste, Drenas 7 raste, Istog 7 raste, Skenderaj 5 raste, Kaçanik 4 raste, Deçan 2 raste, Dragash 2 raste, Rahovec 2 raste dhe me nga një rast komunat Graçanicë, Hani i Elezit, Junik, Kllokot, Malishevë dhe Shtime.
“Duke pasur parasysh vlerësimin dinamik dhe në kohë reale të situatës epidemiologjike me COVID -19, sot janë raportuar 632 raste pozitive, që paraqet numrin më të madh të rasteve pozitive këtë vit me tendencë të rritjes ditëve në vijim. Vetëm Në Prishtinë janë raportuar 276 raste pozitive. Shprehim ngushëllime familjarëve për 8 rastet e vdekjeve të raportuara gjatë 24 orëve të fundit.
Numri i rasteve pozitive dhe vdekjeve nga COVID-19 vazhdon të jetë i lartë dhe brengosës si pasojë e drejtpërdrejtë e neglizhimit të masave”, thuhet në njoftim.
IKSHPK përsërit thirrjen për zbatimin e të gjitha masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët, institucionet dhe organizatat publike dhe private, për respektimin dhe ndërmarrjen e të gjitha masave të nevojshme për parandalimin, menaxhimin dhe kontrollin e infeksionit COVID-19, duke marrë parasysh dispozitat e Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19, dhe vendimet në fuqi mbi masat dhe obligimet e institucioneve për zbatimin e masave të përgjithshme dhe specifike për mbrojtjen nga pandemia COVID-19.
Në veçanti, bëjmë thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave kufizuese për aktivitetet publike, përkatësisht kufizimeve për grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.