Tre persona kanë marrë lëndime trupore sot rreth orës 10:15, si pasojë e një përleshje mes disa personave në rrugën “Alpet Shqiptare”, në Prishtinë.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Sipas tij, policia ka dalë menjëherë në vend ngjarje dhe tre personat e lënduar janë dërguar për tretman mjekësor në QKUK.
“Rreth orës 10:15 është pranuar informata për një rrahje në mes të disa personave, të ndodhur në rrugën “Alpet Shqiptare” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para bëhet e ditur se tre persona të lënduar kanë kërkuar trajtim mjekësor në QKUK”, ka thënë Borovci.
Zëdhënësi i policisë po ashtu tha se aktualisht po ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme operativo-policore me qëllim të zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave që karakterizojnë ngjarjen.