Në Jerevan të Armenisë po mbahet Samiti i Frankofonisë në të cilin po merr pjesë edhe presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Pak ditë para se të nisej për në këtë Samit, Thaçi kishte thënë se idenë e tij për korrigjim të kufijve dhe bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, do ta diskutonte edhe në Armeni.
Ndërsa sot kur ky Samit ka hyrë në ditën e tretë të tij, kryeministri shqiptar, Edi Rama, i cili nuk kishte ngurruar t’i dalë në mbrojtje Hashim Thaçit pas kundërshtive që mori për idenë e korrigjimit të kufijve, ka publikuar një video ku shihen dy liderët shqiptarë në një bisedë me presidentin e Francës, Emanuel Macron, raporton Express.
Në pamje shihet që kryeministri shqiptar, Edi Rama, po përkthente mesazhet që Macron po i jepte në frëngjisht Hashim Thaçit, duke qenë që presidenti i Kosovës qëndron keq sa i përket gjuhëve të huaja.
Franca njësoj sikurse Gjermania kishte qenë kategorike kundër idesë së Thaçit për ndryshim të kufijve, megjithatë nuk dihet nëse Macron ia ka përsëritur të njëjtin qëndrim presidentit të Kosovës.