Site icon PrishtinaPress

QKUK: Hiqet lista e pritjes për CT në Mushkëri

Lista e Pritjes për Tomografi të Kompjuterizuar (CT) në mushkëri, pas një kohe të gjatë, me aktivizimin e shërbimeve para dhe pasdite, është hequr.

Më herët, qytetarët kanë pritur deri në dy muaj t’i diagnostikojnë shkaqet e shqetësimit të tyre, një kohë e gjatë që e ka shtyrë trajtimin, duke ndërlikuar procesin e shërimit.

Drejtoresha e Klinikës së Pulmologjisë, Rukije Mehmeti, thotë se puna me dy ndërrime ka mundësuar që pacientët të marrin shërbimin brenda dy ditëve, më së gjati.

“Kjo me të vërtetë e shkurton edhe kohën e qëndrimit të pacientit në spital, i shkurton edhe harxhimet. Kur të mendohet për hospitalizimin e një pacienti, duhet të mendohet jo vetëm shtrirja e tij dhe diagnoza, por edhe koha e qëndrimit”.

“Pacienti është dashur të qëndrojë deri në dy muaj për ta marrë rezultatin CT-së. Tash, CT-të realizohen shumë shpejt dhe koha e qëndrimit të pacientit në spital shkurtohet shumë”, thotë Mehmeti.

Drejtori i Radiologjisë, Bujar Gjikolli, ndërkaq, tha se me angazhimin e stafit mjekësor, Lista e Pritjes për këtë shërbim është hequr. Sipas tij, më nuk ka pacientë që presin për CT në mushkëri.

“Me përkrahjen e stafit mjekësor, kemi marrë vendim që ta lëshojmë edhe ndërrimin e pasdites për Tomografi të Kompjuterizuar, ku Klinikës së Pulmologjisë ia kemi dhënë mundësinë që të sjellin pacientë edhe pasdite, në mënyrë që t’i përgjigjen të gjitha rasteve, por edhe me qëllim që ta sjellin listën në zero”, thekson Gjikolli.

Gjatë dy muajve të parë të këtij viti, në QKUK janë kryer 130 Tomografi të Kompjuterizuara për mushkëri.

Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Spitalor Klinik Universitar po angazhohen, që gjatë këtij viti të hiqen listat e pritjes edhe për shërbimet tjera që ofrohen në QKUK.

Exit mobile version