Site icon PrishtinaPress

Qeveria tregon çka u fol në takimin Kurti-Borrell

Qeveria ka dhënë detaje rreth takimit mes kryeministrit Albin Kurti, Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, dhe Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, në Paris.

Në këtë takim u diskutua për dinamizmin e dialogut Kosovë-Serbi, zbatimin e vendimit për targat ilegale, zhvillimet e fundit në Kosovë, dhe çështje të tjera aktuale.

Sipas komunikatës për media, Kurti ka theksuar elementet e kornizës së marrëveshjes për normalizimin e plotë të raporteve me njohjen reciproke në qendër, ndërsa tha se propozimi franko-gjerman, që ka mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, i prezantuar nga emisarët Jens Plötner dhe Emmanuel Bonne, shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme.

“Duke biseduar për zhvillimet e fundit në veri të vendit, Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës ka treguar vendosmërinë për sundimin e ligjit dhe përkushtimin në ruajtjen e paqes dhe sigurisë në vend”, thuhet tutje në njoftim.

Ndryshe, kryeministri po qëndron në Francë bashkë me presidenten Vjosa Osmani për të marrë pjesë në Forumin e Paqes në Paris./Prishtinapress/

Exit mobile version