Site icon PrishtinaPress

Qeveria përgjigjet rreth takimit të Haradinajt me Milan Radojiçiqin

Qeveria e Kosovës ka komentuar se pse ishte takuar kryeministri Ramush Haradinaj me Milan Radojiçiqin që në media është përmendur si person që ka kontroll në pjesën veriore të Kosovës.

Zyra për Informim e Kryeministrit Haradinaj, në përgjigjen e tyre kanë thënë se takimet e kryeministrit të Kosovës bëhen në bazë të asaj se kush i përfaqëson ata dhe se nuk përzgjedhë përfaqësuesit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, nuk mund të përzgjedhë se kush mund të jetë përfaqësues politik i komuniteteve që jetojnë në Kosovë. Në këtë kontekst, takimet që kryeministri i Kosovës i ka realizuar në të kaluarën dhe mund t’i realizojë në të ardhmen me përfaqësues të komuniteteve, bëhen në bazë të asaj, se kush i përfaqëson ata”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë.

Ndryshe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, në një intervistë televizive në RTK 2 kishte përmendur si bashkëpunëtor të tij edhe Milan Radojiçiqin që, sipas disa politikanëve serbë e shqiptarë, njihet si lider i strukturave kriminale në veri të Kosovës.

Haradinaj ka thënë se ai punon me disa kolegë serbë nga veriu, si dhe me Radojiçiqin, i cili sipas tij, “e ka rolin e tij”.

“Unë punoj shumë mirë me kolegët serbë, për shembull me zëvendëskryeministrin Dalibor Jevtiq, me ministrat Nenad Rikalo, Teodosijeviqin, punoj me kryetarin Goran Rakiq, punoj edhe me Sllavko Simiqin, punoj edhe me njerëzit nga veriu – Millan Radojiçiqin. Për shembull, besoj që edhe ai e ka rolin e tij dhe të gjithë… “, kishte thënë Haradinaj.

Ndërsa pas vrasjes së Ivanoviqit të martën, ish-deputetja serbe në Kosovë, Rada Trajkoviq në intervistën dhënë për mediat serbe e ka quajtur Radojiçiqin ‘si shef të mafisë në territorin e Kosovës’.

Po ashtu, edhe ish-hetuesi në Policinë e Kosovës, Murat Mehmeti, si dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në emisionin “Jeta në Kosovë”, kanë potencuar se Radojiçiq paraqet kreun e një strukture kriminale në Serbi që po pengon edhe shtrirjen e kontrollit të shtetit të Kosovës në pjesën veriore të vendit.

Ndërkaq në media, ekspertë të sigurisë kanë deklaruar se prapa vrasjes së Oliver Ivanoviqit qëndrojnë struktura të ndryshme të krimit në pjesën veriore të vendit. /telegrafi

Exit mobile version