Mazhoranca qeverisëse, e kryesuar nga Lëvizja Vetëvendosje, ka rekomanduar Luljeta Aliun, përkrahsen publike të partisë, për një pozitë në Komisionin e Komisionit të Pavarur të Mediave.
Kuvendi i Kosovës, është duke zhvilluar procedurën e emërimit të tre anëtarëve të rinj për të plotësuar pozitat e lira në komisionin e KPM-së.
Komisioni Parlamentar për Media, i ka rekomanduar kuvendit gjashtë emra për tri pozitat në komisionin e KPM-së.
Komisioni i KPM-së përbëhet nga shtatë anëtarë të cilët emërohen në këto pozita nga Kuvendi i Kosovës. Katër prej tyre, momentalisht janë të lira.
Në mesin e gjashtë emrave të propozuar nga Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal, figuron edhe emri i Luljeta Aliut, një përkrahese të Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet.
Aliu, e njohur për paraqitjet publike – kryesisht në debate politike, ka mbështetur politikat e Lëvizjes Vetëvendosje dhe ka përkrahur ngjitjen në pushtet të LVV-së. Luljeta Aliu, është vlerësuar si kandidatja e dytë më e përshtatshme për këtë pozitë.
Përveç Aliut, për pozitat e lira në Komisionin e KPM-së janë rekomanduar edhe Hysni Mustafa, Arbër Jashari, Vlorë Berisha, Fatih Basha, Maja Staletoviç.
Më 30 qershor të këtij viti, kryeshefi ekzekutiv i KPM-së, Luan Latifi, u arrestua nën dyshimin për marrje ryshfeti. Ai ndodhet në paraburgim.
Sikurse kryeshefi Luan Latifi, më 29 qershor u arrestua edhe drejtori i Financave të KPM-së, Arben Bilalli, i cili po ashtu dyshohet për marrje ryshfeti.