Policia e Kosovës edhe përkundër masave të ndërmarra në vazhdimësi me plane dhe detyra konkrete gjatë sezonit veror, referuar situatës së krijuar dhe humbjes së jetëve të njerëzve në trafik, ka marrë masa shtesë me krijimin e ‘TASK FORC’-ës, e cila enkas po merret me kontrollin, trajtimin dhe përmirësimin e nivelit të sigurisë në trafikun rrugor.
Plani veprues dhe parandalues i kësaj ”TASK FORCE”, parasheh përfshirjen, koordinimin dhe bashkërendimin e njësiteve të ndryshme në terren, në pika kontrolli, akse rrugore, si dhe aplikimin e metodave të ndryshme të avancuara nga njësitet policore, për arritjen e parandalimit të aksidenteve në tërësi e në veçanti të atyre me pasoja fatale.
Për të rritur sigurinë në trafik, për të sanksionuar shkelësit e rregullave në trafik, do të vazhdojë aplikimi i masës “ZERO tolerancë ndaj të gjithë kundërvajtësve”. Me qëllim që të arrihen rezultatet sa më pozitive në uljen e aksidenteve në trafik dhe ndëshkimin e shkelësve te këtyre rregullave, PK-ja ka angazhuar njësi policore me automjete civile (automjete zyrtare, por pa shenja policore).
Automjetet zyrtare-civile të policisë drejtohen nga zyrtarë policorë në uniformë zyrtare dhe të njëjtat janë të pajisura me sistem të dritave rotative, me alarm me zërim dhe ndalimi i kundërvajtësve nga këta zyrtarë me automjete civile bëhet vetëm pas ndezjes së dritave rotative dhe alarmit me zërim, gjithnjë duke i pasur parasysh rregullat e sigurisë në trafikun rrugor.
Andaj, për të arritur një efekt parandalues-pozitiv të këtyre angazhimeve dhe masave operative të planifikuara, Policia e Kosovës kërkon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e posaçërisht tek shoferët/drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë rregullat që dalin nga Ligji i Trafikut Rrugor, të respektojnë shenjat e trafikut, t’u përshtaten kushteve të rrugës dhe në veçanti t’i përmbahen shpejtësisë së lejuar, pasi që vetëm në këtë mënyrë kontribuojnë për një siguri më të madhe nëpër rrugët e vendit tonë dhe evitojnë humbjen e panevojshme të jetëve njerëzore.